Avramopulos: Të shmangim "riballkanizim" të Ballkanit

Maqedonia

Avramopulos: Të shmangim "riballkanizim" të Ballkanit

Më: 9 mars 2018 Në ora: 09:41
Dimitris Avramopulos

BE-ja nuk guxon të lejojë "riballkanizim" të Ballkanit  dhe kështu Ballkani Perëndimor duhet të avancohet në rrugën evropiane në emër të sigurisë së kontinentit, vlerësoi sot eurokomisari për emigrim Dimitris Avramopulos.

Bashkëpunimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, që është ndër prioritetet e kryesimit bullgar, ishte një prej temave kryesore në takimin e sotëm të ministrave të punëve të brendshme të BE-së, dedikuar sigurisë së kufijve, emigrimit dhe luftës kundër terrorizmit.

Pas takimit, Avramopulos e përshëndeti punën e kryesimit bullgar për çështjen për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëroi se rajoni paraqet çështje të rëndësishme të sigurisë.

"Bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor për emigrimin, sigurinë dhe kufijtë është më i rëndësishëm se kurdoherë. Dëshirojmë të vazhdojmë të angazhohemi në menaxhimin e kufijve, luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe me emigrantë. Kjo paraqet një moment i rëndësishëm për përafrimin e Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane", tha Avramopulos.

Ai theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor "tani më janë pjesë e Evropës, në mënyrë historike, kulturore dhe gjeografike".

"Ne duhet të shmangim të kthehemi në faqet e errëta të historisë dhe riballkanizimit të Ballkanit. Është koha për një kapitull të ri në marrëdhëniet tona, t'i ndihmohet rajonit që të avancohet në perspektivën e saj evropiane është në interes të sigurisë, prosperitetit dhe stabilitetit tonë", deklaroi Avramopulos.

Ballkani Perëndimor si segment i rëndësishëm i çështjeve të sigurisë të Bashkimit Evropian është tema, të cilën Bullgaria e ka vendosur mes prioriteteve kryesore të kryesimit të saj me Unionin.

Bashkëpunimi me vendet e rajonit në fushën e sigurisë kufitare dhe lufta kundër terrorizmit është gjithashtu pjesë e gjashtë nismave të Komisionit Evropian në strategjinë e saj për zgjerimin.

Ruta ballkanike ka qenë një nga rutat më të përdorura gjatë krizës së refugjatëve. BE-ja druan edhe nga radikalizmi i mundshëm i të rinjve, si dhe nga ata të cilët janë larguar si luftëtarë të huaj në zona luftarake të Lindjes së Afërt dhe të cilat do të mund të paraqesin rrezik të sigurisë për Evropën.

Avramopulos theksoi edhe se numri i refugjatëve dhe emigrantëve, të cilët hyjnë në BE sot është zvogëluar për 30 për qind në krahasim me vitin 2014, respektivisht në periudhën para fillimit të krizës së emigrantëve.

"Zvogëlimi i numrit të refugjatëve është vërejtur në të gjitha rutat, përveç në Mesdheun perëndimor", porositi eurokomisari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat