“Të gjithë jemi Naser Selmani”

Maqedonia

“Të gjithë jemi Naser Selmani”

Më: 12 mars 2018 Në ora: 17:28
Protesta

Dhuna, kërcënimet dhe presioni ndaj gazetarëve dhe punëtorëve medial, urgjentisht të ndalohet. Kështu të hënën para Qeverisë apeloi kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, i cili kërkoi nga Qeveria që, siç tha ai, “t’i ndalojë dhunuesit dhe kriminelët që kërcënojnë gazetarët”.”Keni për detyrë t’i ndaloni dhunuesit, përndryshe ju do të jeni aleatët e tyre. Një regjim e përcollëm, nuk do të lejojmë ngritjen e një tjetri. Nuk ia kam frikën askujt. Nuk ia kisha frikën Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve tij dhe aq më pak do t’ja kem frikën dhunuesve të BDI-së, dhe atyre që heshtin”, tha kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

Pjesë e kësaj proteste e cila u zhvillua të hënën ishte edhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve, kryetarja e së cilës, Tamara Çausidis, tha se sulmi dhe kërcënimit e fundit ndaj Selmani, janë sulm ndaj të gjithë gazetarëve. “Karrotreci e ka dorën e gjatë, por ne nuk frikësojmë nga karrotrecët. Kështu që kërkojmë mbrojtje policore për Naser Selmanin dhe qasje më serioze nga Prokurori lidhur me procedimin e lëndëve”, tha kryetarja e SPG-së, Tamara Çausidis. Rastin në fjalë, para protestuesve e ka dënuar edhe ministri pa resor i angazhuar për komunikime, Robert Popovski, i cili tha se Qeveria e re ka tolerancë zero ndaj të gjitha presioneve dhe kërcënimeve, përfshi edhe censurën e cila është ndaluar me Kushtetutë. Kjo protestë e gazetarëve u realizua pasi Beqir Asani, anëtar i lartë i Kryesisë së BDI-së në Çair, ditë më parë në mënyrë verbale e ka cilësuar Selmanin, si një “fundërrinë”, “kopil”… ndërsa mesazh kërcënues ndaj tij kishte lëshuar edhe vëllai i Asanit. Në protestën para Qeverisë morën pjesë qindra gazetarë, ndërsa dënuan ashpër gjuhën e dhunës dhe kërcënimet ndaj Selmanit dhe gazetarëve në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat