Zgjidhja e emrit, Dimitrov: Duam zgjidhje, nuk varet vetëm nga ne; Çaputoviq: Me rëndësi është ruajtja e identitetit

Maqedonia

Zgjidhja e emrit, Dimitrov: Duam zgjidhje, nuk varet vetëm nga ne; Çaputoviq: Me rëndësi është ruajtja e identitetit

Më: 12 mars 2018 Në ora: 18:19
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov,

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, deklaroi se bisedimet për emrin me palën greke po ndryshojnë çdo ditë dhe varësisht nga situata e krijuar varet edhe optimizmi për gjetjen e një zgjidhjeje për kontestin. Maqedonia po bën përpjekje maksimale për t’u arritur kompromis i pranueshëm për të dyja palët, deklaroi ministri Dimitrov pas takimit që realizoi në Shkup me homologun e tij polak, Jaçek Çaputoviç.


“Nuk është gjithçka në duart tona. Tentojmë të gjejmë zgjidhje që do t’i mbulojë  brengat e të dyja palëve në drejtim të distinksionit mes Maqedonisë dhe Greqisë, distinksion që do të jetë dinjitoz dhe nuk do të ndërhyjë në identitetin e të dyja vendeve. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi. Unë si ministër i Jashtëm i Maqedonisë e kam për detyrë të jem optimist edhe atëherë kur dëshiroj të kemi më shumë argumente se sa që kemi sot”,– deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Edhe ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Çaputoviq, shpreson në epilog pozitiv në bisedimet mes Shkupit dhe Athinës për emrin.
“Po vërejmë shumë lëvizje konkrete nga pala maqedonase, si për shembull ndërrimi i emrit të aeroportit, gatishmëri edhe për negociata si dhe debat nga pala maqedonase lidhur me këtë çështje. Do të shohim se si do të rrjedhin punët në të ardhmen, megjithatë dua të theksoj se pritshmëritë e caktuara nga pala maqedonase janë të lidhura drejtpërdrejt me ruajtjen e identitetit shtetëror dhe kjo është tejet e rëndësishme”,– u shpreh ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Çaputoviq.

Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, deklaroi se çështja e emrit dhe dinamikat në procesin e tejkalimit të dallimeve mes palëve në kontest do të jetë temë kyçe e bisedimeve edhe me ndihmëssekretarin shtetëror të ShBA-ve për Europë dhe Azi,  Ves Miçel, i cili nesër pritet të vijë për vizitë zyrtare në Maqedoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat