Shënohet 75-vjetori i deportimit të hebrenjve

Maqedonia

Shënohet 75-vjetori i deportimit të hebrenjve

Më: 12 mars 2018 Në ora: 20:30
Pamje nga protesta

Në 75 vjetorin e deportimit të Hebrenjve nga Maqedonia në kampin fashist Treblinka, qytetarë marshuan rrugëve të Shkupit me parullën “Marshi i të gjallëve”. Marshi përfundoi në Kombinatin e Duhanit ku edhe ishin tubuar asokohe...

Në 75 vjetorin e deportimit të Hebrenjve nga Maqedonia në kampin fashist Treblinka, qytetarë marshuan rrugëve të Shkupit me parullën “Marshi i të gjallëve”. Marshi përfundoi në Kombinatin e Duhanit ku edhe ishin tubuar asokohe hebrenjtë para se të nisen drejt Polonisë për ekzekutim. Nga ky vend kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, dhe homologu i tij bullgar Bojko Borisov, përcollën mesazhe për paqe dhe bashkëjetesë, duke i vënë theks të veçantë mospërsëritjes të gjenocideve të këtilla.

"Holokausti ishte luftë kundër njerëzve, lirisë dhe jetës tonë të përbashkët. Ata të cilët arritën të mbijetojnë çmendinë e krimit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të përbashkët. Angazhimi për të kujtuar tmerrin e asaj kohe e bënë Maqedoninë më të begatë dhe ne jemi mirënjohës për këtë" – deklaroi Zoran Zaev.

Kryeministri bullgar Borisov tha se ndjehet shumë keq për çdo jetë njerëzore që është humbur në kampet naziste.

"Nëse, mos dhashë Zoti, përsëri të lejojmë ngjarje të tilla, atëherë ne jemi budallenj. Edhe ne, politikanët aktual, kemi përgjegjësi. Nuk i kemi harruar, lavdi atyre, dhe për këtë arsye erdhëm që së bashku me popullin maqedonas, të shprehim keqardhje për ata që nuk arritën të dalin të gjallë nga makineria naziste" – deklaroi kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov.

Delegacionet e huaja, ministrat, kryeministri Zaev por edhe deputetët e VMRO-së u kthyen në Kuvend në një seancë komemorative për miratimin e Deklaratës që dënon holokaustin dhe të gjitha format tjera të gjenocidit.

"Përmes miratimit të Deklaratës me rastin e 75 vjetorit të depërtimit të Hebrenjve nga Maqedonia në kampin e vdekjes Treblinka, dërgojmë mesazh të qartë se Holokausti ose cilido gjenocid tjetër, asnjëherë nuk guxon të përsëritet" – deklaroi Talat Xhaferi.

Përfaqësues të shtetit të Izraelit vlerësuan se këto zhvillime ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës dhe krimet që janë bërë ndaj Hebrenjve gjatë kohës së fashizmit,

"Ngjarjet në Manastir ende nuk janë sqaruar sa duhet pasi nuk janë gjallë të gjitha ata që mund të rrëfenin atë që ka ndodhur. Një mëngjes ata ishin dërguar në llogoret në Treblenka dhe asnjëherë më nuk u kthyen. Këtu jemi që të tregojmë atë që u kishte ndodhur atyre" – tha Rabin Elihau Mihail Ben Dahan, zv/ministër i mbrojtjes së Izraelit.

Natën midis 10 dhe 11 marsit të vitit 1943 ishin arrestuar gati të gjithë hebrenjtë në Maqedoni dhe ishin dërguar në Kombinatin e duhanit, i cili atëherë ishte kamp përqendrimi i përkohshëm. Sipas evidencës së autoriteteve të atëhershme bullgare dhe gjermane, janë arrestuar 7.144 hebrenj të cilët më pas ishin dërguar në llogoret fashiste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat