Nuk është shkelur procedura, Ivanov i obliguar ta nënshkruajë Ligjin për gjuhët

Maqedonia

Nuk është shkelur procedura, Ivanov i obliguar ta nënshkruajë Ligjin për gjuhët

Më: 15 mars 2018 Në ora: 14:03
Seanca e Kuvendit të Maqedonisë

Kryetari i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov do t'i shkelë dispozitat kushtetuese nëse nuk e nënshkruan dekretin për shpalljen e Ligjit për gjuhët, deklaroi sot kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, pas paralajmërimit të mbrëmshëm të shefit t shtetit se nuk do ta nënshkruajë dekretin për këtë ligj.

Xhaferi nuk deshi ta komentojë çfarë nëse Ivanov nuk e nënshkruan ligjin.

"Nuk do të komentoj çfarë do të jetë nëse është. Neni 75 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë është i qartë edhe pas votimit të sërishëm me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Kuvend, që është rasti me ligjin, presidenti i Republikës është i obliguar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Në të kundërtën i shkel dispozitat kushtetuese", deklaroi Xhaferi pas deklaratave të sotme solemne të anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor në shtëpinë ligjdhënëse.

Sipas kryetarit të Kuvendit, dispozita nga neni 75 nga Kushtetuta është e qartë. Veto pezulluese nuk mund të vendoset tek ligjet që sillen me shumicë prej dy të tretave, ndërsa veto mund të vendoset vetëm tek ligjet të cilat sillen me shumicë të thjeshtë ose me minimum një të tretën e votave.

"Gjatë votimit të përsëritur për këtë ligj duhet të jetë me shumicën prej numrit të përgjithshëm të deputetëve, ndërsa në këtë rast, ligji e merr shumicën e nevojshme. Në të vërtetë ligji edhe paraprakisht e mori shumicën e nevojshme në normat e Kushtetutës. Mbetet obligim që kjo të zbatohet", tha Xhaferi.

"Nuk komentoj paralajmërime të tilla. Ky është një qëndrim i politikës", tha Xhaferi.

Sipas Xhaferit, që të sqarohet mënyra e sjelljes së Ligjit për gjuhët, është i nevojshëm debat më i gjerë dhe kjo nuk mund të përgjigjet vetëm në pyetje të gazetarëve.

Presidenti Ivanov dje deklaroi se nuk do të vendosë nënshkrim në dekretin për shpalljen e ligjit sërish të votuar sepse këtë nuk ia lejon ndërgjegjja dhe Kushtetuta.

Kurse, kryetari i trupit amë të punës, i cili e shqyrtoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve - Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Artan Grubi, e përshëndeti sot miratimin e djeshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Grubi njofton Komisioni për Çështje Evropiane pranë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë u shpreh i kënaqur që Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua me 64 vota "pro", pa asnjë votë "kundër" dhe asnjë votë "abstenim".

"Pastaj, në tërë procedurën gjatë miratimit të Ligjit, në debatin e komisionit, si në leximin e parë, leximin e dytë dhe leximin e tretë të Ligjit në seancën e Kuvendit, ky u votua dhe u vërtetua pa asnjë votë kundër. Me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve u finalizua pjesa normative e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me çka Maqedonia do të bëhet shtet më i fuqishëm, më stabil, më i sigurt dhe më koheziv, i cili fuqishëm shkon drejt BE-së dhe NATO-s", theksoi ai.

Grubi potencoi, shtohet në kumtesë se ajo që deri dje ishte dobësi, marrëdhëniet ndëretnike, sot është mjet më i madh për Republikën e Maqedonisë.

"Tani është koha të përkushtohemi plotësisht në ligjet tjera reformuese, si dhe në zgjidhjen e kontestit me fqinjin tonë jugor që ta integrojmë plotësisht vendin tonë në NATO dhe BE", theksoi Grubi.

Gjatë miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në asnjë pjesë nuk është shkelur procedura. Konform Kushtetutës, amendamente nuk mund të parashtrohen për ligjin njëherë të votuar, ai mund të ndryshohet vetëm me propozim-ligj për ndryshime. Konform Kushtetutës, presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov është i obliguar ta nënshkruajë, konsideron zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane Bujar Osmani.

"Maqedonia përfundoi një kapitull shumë të rëndësishëm të historisë së saj dhe sot më shumë se kurdoherë është unifikuar, unanimisht dhe të përbashkët në sfidat e veta për hapërim drejt BE-së dhe NATO-s", tha Osmani.

Lidhur me pohimet se Ligji në lexim të tretë është miratuar jashtë nga afati i paraparë prej 30 ditëve pasi presidenti i Maqedonisë nuk e nënshkroi dekretin, Osmani konsideron se nuk mbajnë sepse ky ka qenë afati ku ligji duhej të vendoset në rend dite, e jo i votuar.

"Ligjet e miratuara mund të ndryshohen vetëm me propozim-ligje. Nëse dikush dëshiron ta ndryshojë këtë ligj, atëherë duhet të parashtrojë propozim për ndryshime", theksoi Osmani i cili sot mori pjesë në konferencën në Kuvend kushtuar reformave në gjyqësi.

Sipas tij, nuk ka pasur kurrfarë baze për propozim të amendamenteve dhe se këtë e ka konstatuar kryetari i Kuvendit i Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi.

Osmani potencoi se edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë Ivanov pas miratimit të djeshëm të Ligjit në lexim të tretë konform nenit 75 të Kushtetutës është i obliguar ta nënshkruajë.

Ndërsa, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, si më meritori për votimin e ligjit për gjuhën shqipe, votën e tij për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, ua dedikon dëshmorëve të kombit.

“Kjo votë dhe kjo ditë ju takon juve dhe atyre që nuk janë më, e që janë më meritorët, dëshmorëve të kombit. Urime të gjithëve, e mbara qoftë me ne”, shkruan Ali Ahmeti.

Strategjia e liderit të BDI-së, Ahmeti është bërë që gjuha shqipe të mbajë datën e krismave të para të UÇK-së në Maqedoni.

Më 14 mars 2001, ushtarët e UÇK-së e nisën luftën për të drejtat e shqiptarëve, sot, 14 mars po ata ushtarë bëjnë “luftën” për Ligjin e Gjuhës me të cilin do të përmbyllet pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit.

Ndryshe, Kuvendi dje në atmosferë të tensionuar me 64 vota "për", pa kundër dhe të përmbajtur për herë të dytë e miratoi Ligjin për gjuhët, pa debat të amendamenteve. Për Ligjin votuan edhe deputetët nga komunitetit joshumicë  me 24 vota.

Ligji, i cili për herë të parë u votua më 11 janar, sërish u gjet para deputetëve pasi presidenti Ivanov nuk e dekretoi dhe e ktheu në shqyrtim të sërishëm në Kuvend.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat