Zyrtari i lartë amerikan viziton Greqinë për emrin

Maqedonia

Zyrtari i lartë amerikan viziton Greqinë për emrin

Më: 15 mars 2018 Në ora: 16:24
Ves Miçel

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Ves Miçel ka takuar sot zyrtarë të lartë të shtetit grek. Ndonëse në takime larg syve të mediave, besohet që Miçel të ketë përcjellë ndër tjerash edhe mesazhe për çështjen e emrit. Kjo për shkak se pas vizitës në Shkup, zyrtari i lartë amerikan inkurajoi palët në zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar. Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos në një takim me gazetarët përsëriti se qëndrimi i palës greke është emër “erga omnes” dhe ndryshim të Kushtetutës së vendit fqinj dhe se këto çështje gjithsesi do të zgjidhen në negociata.

Pozita e Qeverisë greke është emër i përbërë, erga omnes, për përdorim të përgjithshëm. Çfarë do të thotë kjo? Se janë të nevojshme ndryshime kushtetuese që të mund të arrijmë zgjidhje të përbashkët të pranueshme dhe të qëndrueshme… Ndryshimet kushtetuese kanë të bëjnë edhe me emrin edhe me pozitat irredentiste që janë të përfshira në Kushtetutën e fqinjit. Por, këto janë çështje që do të zgjidhen gjatë kohës së negociatave, negociata këto që është e qartë se do të përfundojnë me një Marrëveshje ndërkombëtare, sepse bisedojmë për marrëveshje midis dy shteteve të pavarura- deklaroi zëdhënës i Qeverisë së greke, Dimitris Canakopulos. 

Canakopulos kritikoi opozitën për qasje destruktive. Ndërsa lideri i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Kyriakos Micotakis së fundmi tha se për t’u përmbyllur kontesti shumëvjeçar është e nevojshme një zgjidhje që do të përfshinte të gjitha pikat, me theks të veçantë heqjen e irredentizmit nga Kushtetuta dhe librat shkollore, që sipas tij janë më të rëndësishme sesa emri i shtetit. E përditshmja greke, Iefimerida ndërkohë shkruan se përfundimisht kryeministrit Aleksis Cipras është i vetëm për emrin. Partneri i koalicionit, respektivisht lideri I partisë Grekët e Pavarur, Panos Kamenos ia ka kthyer shpinën duke theksuar se nuk mbështet Qeverinë në zgjidhjen e kontestit, pasi siç ka deklaruar “asnjëherë nuk do ta mbështesë një zgjidhje që do të përmbajë termin Maqedoni”. Kjo gazetë tashmë ka ngritur dyshime se Ciprasi do ta zëvendësojë Kamenosin me liderin e partisë Potami, Stavros Theorodakis. Theorodakis në paraqitjen e tij të fundit në mediat greke kishte paralajmëruar se pas Pashkëve në Parlamentin grek do të ketë propozime konkrete për emrin./Alsat-M/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat