Popovski dhe Fërçkovski me të njëjtin mendim, Ivanov e shkel Kushtetutën

Maqedonia

Popovski dhe Fërçkovski me të njëjtin mendim, Ivanov e shkel Kushtetutën

Më: 17 mars 2018 Në ora: 21:00
Popovski dhe Fërçkovski

Në qoftë se opozita është aktor racional dhe ka dashur ta ndryshojë për të mirë ligjin për përdorimin e gjuhëve, atëherë është dashur që amendament ti dorëzojë në leximin e dytë në Kuvend, u shpreh profesori universitar, Lubomir Fërçkovski.

Në një situatë të tillë, sipas tij, askush nuk do të kishte mundur t’i anashkalojë amendamentet. Megjithatë, Fërçkovski sheh faj edhe në veprimet e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Ku janë gabimet e kryetarit të Kuvendit. Ka një letër të cilën ai ua dërgon që të paraqesin amendamente, dhe pastaj ata sikur fëmijë të gjithë amendamentet i vendosin në leximin e tretë, pastaj u thotë, jo kam gabuar dhe thotë se nuk është ashtu. Por, shpjegimi i tij final, të cilin besoj se e ka dëgjuar prej nesh, se ka pasur debat të tillë, është i saktë. Edhe sipas rregullores, gjatë leximit të dytë nuk ka pasur amendamente që i kanë ndryshuar nenet, dhe pas kësaj nuk ka pasur amendamente, domethënë pas dy leximeve. Sipas kushtetutës, ose sipas rregullores, nuk mundet që në leximin e tretë të bëhet debate mbi amendamentet”, tha Lubomir Fërçkovski, Profesor Universitar.

Sipas profesorit Vllado Popovski, në rast se ligji ka kaluar në lexim të tretë në seancë plenare dhe në qoftë se i njëjti është votuar me së paku 61 vota, atëherë kryetari i shtetit është i obliguar që ta nënshkruajë ligjin.

“Gjykata kushtetuese është ajo e cila do të reagojë përfundimisht. Që do të thotë, nuk përfundon jeta për shkak të inatit të kryetarit të Republikës së Maqedonisë. Ai është përgjegjës dhe në këtë rast ai është duke e shkelur kushtetutën”, tha Vllado Popovski, Profesor Universitar.

Të dy profesorët thonë se në një situatë të këtillë në të cilën ligji e ka kaluar leximin e tretë, kryetari i shtetit nuk mund të vihet mbi shtëpinë ligjvënëse. Gjithashtu ata thanë se për kushtetutshmërinë e ligjit të sjellë duhet të zhvillohet debat në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka të drejtë, të vlerësojë si jo kushtetues disa nene të ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat