Ligji për Gjuhët, VMRO-ja kërcënon Xhaferin

Maqedonia

Ligji për Gjuhët, VMRO-ja kërcënon Xhaferin

Më: 24 mars 2018 Në ora: 16:35
Talat Xhaferi

Ligji për përdorimin e gjuhëve vazhdon të kundërshtohet ashpër nga VMRO-DPMNE-ja opozitare. Të njëjtit kërcënojnë se çdo shpallje e këtij ligji në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Presidentit Ivanov, do të ndiqet me padi penale ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi por edhe ndaj drejtorit të Gazetës Zyrtare.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Darko Kostovski anashkalon Gjykatën Kushtetuese duke thënë se është presidenti ai që duhet të vendosë për kushtetutshmërinë e ligjeve.

"Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse do të nënshkruhet apo jo dekreti. Presidenti Gjorgje Ivanov ka të drejtë të plotë që të mos e nënshkruaj këtë ligj. Detyra e vetme e presidentit të Shtetit është që ta mbrojë Kushtetutën e Shtetit" – tha Darko Kosotovski, VMRO-DPMNE.

Por se sa Presidenti Ivanov po e mbron Kushtetutën e Maqedonisë, na e dëshmon neni 75 i Kushtetutës, në të cilin thuhet:

Neni 75 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë

“Ligjet shpallen me dekret. Dekretin për shpalljen e ligjeve e nënshkruajnë Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit. Presidenti i Republikës mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Kuvendi sërish e shqyrton ligjin dhe në qoftë se e miraton me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti i Republikës e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin. Presidenti e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin, në qoftë se sipas Kushtetutës, ligji votohet me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.”

Nga LSDM mbajnë qëndrim se ai që bie ndesh me Kushtetutën, është presidenti Ivanov e jo Ligji për gjuhët. Socialdemokratët druajnë se përderisa Presidenti mbanë anë partiake, precedenca të tilla mund të përsëriten edhe në të ardhmen, duke e pamundësuar sundimin e së drejtës në shtet. Ish-kryetari i Parlamentit Tito Petkovski, thotë se Ivanov është i detyruar që të nënshkruaj dekretin e më pas t’i lihet në duar Gjykatës Kushtetuese që të vendosë në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjit në fjalë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Petkovski alternativë e përmend peticionin për shkarkimin e Ivanovit nga pozita e Presidentit.

"Këtu është shumë e qartë se Presidenti taktizon në favor të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së, e dinë se Impiçment për përgjegjësinë e Ivanovit nuk mund të inicohet për shkak të mungesës së 2/3 të votave, por ai nuk ka të drejtë që të vendos se a është ligji kushtetues apo ajo dhe është I obligueshëm që ta nënshkruaj ligjin. Kështu do u jep shans atyre që dyshojnë se ligji është jo-kushtetues, të binden me vendimin që do e sjellë Gjykata Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e këtij ligji. 09:30 “Nëse më pyesni mua se çfarë do të bëja, unë do të filloja që të mblidhja nënshkrime për tërheqjen e Ivanovit nga funksioni i Presidentit. Duke e parë disponimin aktual të popullit, kjo gjë mund të realizohet shumë lehtë" – deklaroi Tito Petkovski, Ish kryetar i Parlamentit.

Nga presidenca vazhdojnë të heshtin duke përsëritur qëndrimin e vjetër të Ivanovit, se nuk do e nënshkruaj dekretin për shpalljen e ligjit në Gazetë Zyrtare. Ndërsa nga kjo e fundit mohojnë që deri tek ta, të ketë arritur ndonjë dokument nga Parlamenti në lidhje me shpalljen e Ligjit për gjuhët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat