Ligji për gjuhët, topi te Parlamenti

Maqedonia

Ligji për gjuhët, topi te Parlamenti

Më: 26 mars 2018 Në ora: 22:34
Ilustrim

Mbetet të shihet nëse kryeparlamentari Xhaferi do të përcjell Ligjin deri te Gazeta Zyrtare apo të ndodh që të pritet momenti kur presidenti është i penguar - qoftë i sëmurë apo udhëton ashtë shtetit që dekretin ta nënshkruaj kryetari i Parlamentit - bazuar kjo në norma kushtetuese

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të spektrit politik dhe qeveritar (përveç VMRO-së), presidenti Gjorge Ivanov vazhdon me refuzimin e tij që ta nënshkruaj Ligjin për përdorimin e gjuhëve edhe pse obligohet nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, shkruan gazeta KOHA.

Arsyetimi i ekspertëve, partive politik dhe ish-politikanëve me përvojë të gjatë në udhëheqje me Parlamentin, si Tito Petkovski që për një kohë më herët ka qene kryetari i Parlamentit, kanë mbajtur qëndrimin se presidenti duhet patjetër të nënshkruaj Ligjin, ndërsa më pas është Gjykata Kushtetuese që mund të vlerësoj nëse Ligji është në pajtim me Kushtetutën apo jo. Profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti, përsërit qëndrimin se mosnënshkrimi i Ligjit për gjuhët nga ana e presidentit Ivanov nuk e pengon Ligjin të hyjë në fuqi.

Maksuti e arsyeton këtë se me refuzimin e Ivanovit, dekreti quhet i shpallur dhe sipas tij, është Parlamenti që duhet të përcjell Ligjin në Gazetën Zyrtare. “Nga Parlamenti buron sovraniteti i shtetit si i deleguar i qytetarëve dhe Maqedonia është Republikë e pastër parlamentare, prandaj funksioni legjislativ nuk lidhet me presidentin domosdomshërisht siç është rasti me shtet-presidencial dhe gjysmë-presidencial. Ne duhet të thirremi në atë se nga Parlamenti burojnë të gjitha aktet më të larta juridike siç janë Kushtetuta dhe ligjet, prandaj ligjet për të hyrë në fuqi nuk mund te pengohen nga mosnënshkrimi i presidentit për herën e dytë. Në rastin konkret, dekreti për Ligjin nga ana e Parlamentit duhet të llogaritet i shpallur pas refuzimit të presidentit dhe është Parlamenti ai që udhëzohet të përcjell Ligjin deri tek gazeta zyrtare, e cila vetëm se duhet të zbatojë detyrimin vete ligjore që të publikojë Ligjin”, thekson për gazetën KOHA, Mersim Maksuti.

Ai në këtë vlerësim thirret edhe në praktikat Parlamentare jo vetëm në Maqedoni, por dhe në shtetet tjera me sistem të pastër parlamentar. Sa i përket qëndrimit të fundit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi të dhënë për Kanal 5, lë të kuptohet se ai do të veprojë në variantin që përcjell profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mersim Maksuiti. “Unë do të shkoj me të gjitha variantet që mundësojnë funksionim të plotë të institucionit Parlament, sepse rendi Kushtetues garanton rend shtetëror me demokraci parlamentare dhe kompetenca të plota Parlamentare”, deklaroi Xhaferi.

Në vijë me të është edhe kryetari i grupit parlamentar të BDI partisë prej nga vjen Xhaferi, deputeti Ejup Alimi. Ai thotë për gazetën KOHA se Ligji hyn në fuqi pasi të kalojnë afatet kushtetuese që kur u miratua për herën e dytë. “Ligji hyn në fuqi tetë ditë pas miratimit të tij nga shumica e deputetëve, ndërsa për herën dytë – ligji nuk varet nga nënshkrimi i presidentit meqë është afati kushtetues që mundëson hyrjen në fuqi të Ligjit. Vetë fakti që presidenti nuk mund ta kthej Ligjin si herën parë, kjo do të thotë se Ligji është në harmoni me sistemin juridiko-kushtetues dhe duhet të shpallet nga gazetën zyrtare. Ndryshe do të ishte nëse presidenti edhe për së dyti do të kishte të drejtën e vetë me Kushtetutë që ta kthej Ligjin, por ai këtë nuk e ka jo vetëm tek ne, po askund në botë ku kemi shtet parlamentar”, thekson Alimi.

Mbetet të shihet nëse kryetari Talat Xhaferi do të përcjell Ligjin deri te Gazeta Zyrtare apo të ndodh që të pritet momenti kur presidenti është i penguar – qoftë i sëmurë apo udhëton ashtë shtetit që dekretin ta nënshkruaj kryetari i Parlamentit – bazuar kjo në norma kushtetuese. Përkujtojmë se ka qenë rasti kur ish-presidenti Kiro Gligorov, për shkak të se ishte jashtë vendit për shërim, nuk e pati nënshkruar Ligjin për simbolet e minoriteteve, ndërsa në vend të tij – nënshkrimin e vuri kryetari i Parlamentit, në atë kohë Tito Petkovski. Por Ligji më pas u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese jo për shkak të nënshkrimit nga kryetari i Parlamentit, por për shkak të përmbajtjes së Ligjit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat