Xhaferi: Nuk nënshkruaj në vend të Ivanovit, ka alternativa tjera për Ligjin për gjuhët

Maqedonia

Xhaferi: Nuk nënshkruaj në vend të Ivanovit, ka alternativa tjera për Ligjin për gjuhët

Më: 29 mars 2018 Në ora: 17:03
Talat Xhaferri

Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, bën shkelje të Kushtetutës me mos nënshkrimin e ligjit për gjuhën shqipe. Kështu deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri në takimin mujor me gazetarët.

Ai tha se në miratim të dytë të ligjit nuk ka afate kur duhet presidenti ta nënshkruaj Ligjin. Sipas Xhaferit nëse Ivanov do të vazhdojë të mos e nënshkruaj Ligjin atëherë ka disa zgjidhje të tjera, ndërsa do të zbatohet ajo që është më e mirë.

“Për realizimin e obligimit nuk ka afat, kjo do të thotë që menjëherë e nënshkruan dhe e kthen mbrapa. Ai refuzon ta bëjë këtë, me çka e shkel Kushtetutën. Nëse ai nuk ka afat edhe institucionet tjera nuk kanë afat. Unë kërkova takim me presidentin Ivanov, por me gojë dhe jo kërkesë me shkrim. Ende nuk kam marrë përgjigje. Mbase në fillim ai ka qenë i zënë dhe më pas edhe unë udhëtova për në Gjenevë”, tha Talat Xhaferri, kryetar i Kuvendit.

Kryeparlamentari Talat Xhaferri tha se presidenti duhet të respektojë Kushtetutën, pasi nuk mund të pengojë punën e Kuvendit. Sipas tij, asnjë institucion tjetër nuk mund të pengojë punën e Kuvendit sepse Presidenti është pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të shkelë vendimet e legjislativit, sepse atëherë do të shkilet demokracia. Xhaferi po ashtu tha se nuk do të lejojë që të vendoset në pozitën që të vendos dy nënshkrime tek Ligji për përdorimin e gjuhëve, e në këtë rast të nënshkruaj tek vendi i presidentit Ivanov. Në lidhje me kthimin e opozitës maqedonase në aktivitetet e Kuvendit dhe harmonizimin e reformave, kryeparlamentari Xhaferri tha se dëshmia e vetme pse ata bojkotuan punën e Kuvendit ishte paraburgosja e deputetëve të akuzuar për 27 prillin. Për momentin ky argument, sipas Xhaferrit nuk vlen.

“Me vendimin e Gjykatës Supreme që deputetët e paraburgosur të VMRO-DPMNE-së të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit, të lëshohen në shtëpi, opozita Maqedonase nuk ka më argument që të mos marrë pjesë në aktivitetet e Kuvendit. Ata nuk e kanë bojkotuar Kuvendit pasi qëndrojnë në Kuvend, por nuk marrin pjesë vetëm në seanca”, tha Talat Xhaferri, kryetar i Kuvendit.

Lidhur me ligjet reformuese, kryeparlamentari Xhaferri tha se në bashkëpunim me opozitën janë harmonizuar një pjesë e madhe e ligjeve në grupet e punës midis partive parlamentare, ndërsa pret që nga java e ardhshme VMRO-DPMNE-ja të përfshihet në punën e Parlamentit. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri tha se zyrtarisht nuk ka pranuar asnjë kërkesë për interpelancë për shkarkimin e kryeprokurorit Lubomir Jovevski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat