Maqedonia mes integrimit në BE dhe ndikimit rus

Maqedonia

Maqedonia mes integrimit në BE dhe ndikimit rus

Më: 31 mars 2018 Në ora: 18:52
Ilustrim

Dëbimi i diplomatëve rus jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga shtetet e rajonit, po merr përmasat e një debati të gjerë, si dhe reagime dhe kundër-reagime midis ambasadave ruse dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse nga njëra anë dhe kundër-reagimet nga ana zyrtarëve të lartë qeveritar në shtete të ndryshme, shkruan gazeta KOHA.

Së fundmi, në Maqedoni u prononcua edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, duke thënë se deklaratat që vijnë nga Rusia kohëve të fundit nuk janë të mira, por se janë edhe të pritshme. Ajo ka thënë se Qeveria e Maqedonisë dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë, megjithatë, vendimet për përcaktimet strategjike janë të vet shtetit. Shekerinska ka theksuar se nga viti 1992 ky vend e ka shprehur konsensusin nacional për anëtarësim në NATO dhe BE.

“Nuk përziemi në punët e tjerëve, por dëshirojmë që vendimet tona të jenë tonat. Në këtë mënyrë mbrohet sovraniteti, pavarësia dhe vet shteti”, ka thënë Shekerinska duke u përgjigjur pyetjes së gazetarëve. Kur jemi tek rreziku rus, ai filloi të përhapej që nga viti 2015, kur presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, shpalosi qëndrimin e BE-së për stopimin e zgjerimit të saj pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013 dhe Bullgarisë në vitin 2010. Ndërkaq në Maqedoni, rreziku rus mori hov pas Samitit të Bukureshtit të NATO-së, kur Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtare të saj, ndërsa u refuzua Maqedonia për shkak të vetos së Greqisë. Pas kësaj, Qeveria e Nikolla Gruevskit pati afri më Rusinë dhe shpesh Ministria e Punëve të Jashtme ruse mbronte politikën zyrtare të Gruevskt në qarqet ndërkombëtare.

Pas vitit 2009, në Maqedoni ndodhën një sërë rastesh të rënda si “Monstra”, “Nikolla Mlladenov”, “Rasti i Kumanovës” dhe raste tjera që ishin të diskutueshme në opinion duke etiketuar nga shumë palë Qeverinë e Gruevskit si fajtore për ato. Kjo Qeveri u llogarit nga shumë faktorë relevant politik të jashtëm dhe të brendshëm dhe nga shumë ekspertë si e afërt me Rusinë, duke ngecur në plotësimin e kushteve për integrim në BE dhe në NATO. Tani që ka ndërruar pushteti, nuk pushojnë indiciet e ndikimit rus në Maqedoni, ndërsa dëbimi i një diplomati rus nga Maqedonia edhe më shumë trazoi opinion vendor. Dëbimin e diplomatit rus e ka dënuar partia pro ruse “Maqedonia e Bashkuar”.

“Ne e dënojmë aktin e dëbimit të diplomatit rus dhe nuk pajtohemi me këtë lloj punësh. Japim mbështetje të plotë që diplomati rus të mbetet në Republikën e Maqedonisë. Rusia nëse bën ndonjë bllokadë ndaj Maqedonisë, prodhimet tona bujqësore të mos eksportohen, armata jonë të mos mund të merr armët, i gjithë armatimi është rus, mund të ndodhë ndonjë kolaps në ushtri”, ka theksuar Dragan Ugrinov nga “Maqedonia e Bashkuar/ E Vetme”. Nga ana tjetër, një grup qytetarësh protestoi para Ambasadës së Rusisë, duke shprehur revoltë ndaj vendimit të Ministrisë së Jashtme dhe mbështetje për diplomatin e dëbuar, identiteti i të cilit zyrtarisht mbetet i pazbuluar.

Ndryshe, ministri britanik i Punëve të Jashtme Boris Xhonson deklaroi se dëbimi i koordinuar i diplomatëve rus ka treguar se shfrytëzimi i agjensit nervor në helmimin e ish-spiunit rus, Sergej Skripall, në Britaninë e Madhe, ka sjellë deri në kulm të frustrimit ndërkombëtar për shkak të sjelljes së Moskës. Xhonson në intervistë për Bi-Bi-Si deklaroi se Britania e Madhe dhe aleatët e saj nuk kanë asnjë përplasje me popullin rus, por vetëm me administratën e presidentit Vladimir Putin. Gjithsej 15 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, së bashku me SHBA-në, Kanadanë, Ukrainën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Australinë vendosën të dëbojnë diplomatë rus në shenjë solidariteti me Britaninë e Madhe në rastin me helmimin e ish-spiunit të dyfishtë, Sergej Skripall.

Moska, e cila ashpër i mohon akuzat për përfshirjen në sulmin, paralajmëroi se përgjigjja e saj për dëbimin e diplomatëve rus do të bazohet në parimin e reciprocitetit. Kur jemi tek Maqedonia, dëbimi i diplomatit rus nga Maqedonia nuk ishte vetëm veprim për solidarizim me rastin “Skripal”, por ai ka qenë i përfshirë në aktivitetet e shërbimeve ruse për të instaluar agjent në eshalonin e lartë të pushtetit ekzekutiv në vend. Në Dokumentin të publikuar nga Rrjeti për njoftim për krim të organizuar dhe korrupsion, jepen argumente se agjentët rus para dy vitesh kanë ndjekur aktivitetet e Qeverisë, me qëllim që brenda saj të instalojnë agjentë rus. Por institucionet shtetërore nuk japin detaje nëse agjenti rus ka pasur sukses në agjendën e tij për rekrutuar agjent të rinj. Se ndaj diplomave rus ka pasur dyshime të shumta për punën e tyre, e tha dhe vetë kryeministri Zoran Zaev, duke thënë mes tjerash se vendimi për dëbimin e tyre ishte i drejtë. Më pas pati deklarata kërcënuese nga ambasadori rus në Maqedoni, duke e quajtur dëbimin një veprim armiqësor nga Maqedonia. Oleg Shqerbak shtoi se pasojat nga ky vendim do t’i bart vet shteti i Maqedonisë.

Sa i përket deklaratës se diplomati ka tejkaluar kompetencat e tij, ambasadori rus Shqerbak tha se Qeveria e Maqedonisë nuk ju ka dhënë atyre, ose ka refuzuar të japë prova për këto pretendime.

Retorikën kërcënuese të ambasadorit rus e kritikuar edhe Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasami. “Dënojmë retorikën kërcënuese të ambasadorit rus në Maqedoni. Deklaratat provokuese të ambasadorit rus janë edhe një dëshmi se diplomacia ruse përdor retorike kërcënuese ndaj gjitha shteteve që janë të orientuara drejt NATO-s dhe Unionit Evropian. Lëvizja BESA dënon këtë retorikë destruktive dhe kërcënuese dhe urgjentisht kërkojmë që Ministria e Punëve të Jashtme të dërgojë notë proteste në Rusi dhe të thërrasë në përgjegjësi ambasadorin rus.

Njëherësh, i bëjmë apel Qeverisë që pa humbur kohë të përshpejtojë proceset, të cilat sa më shpejt do ta integrojnë Maqedoninë në NATO për të garantuar sigurinë e shtetit nga qarqe tashme armiqësore pro-ruse”, thuhej në reagimin e Lëvizjes BESA. Por çfarë mendojnë politikanë dhe ekspertë për rrezikun rus në Maqedoni. Ish-kryeministri Vllado Buçkovski ka thënë se në përplasjen mes SHBA-ve dhe Rusisë, Maqedonia duhej të merrte ndonjërën anë. “Në këtë përplasje të madhe mes dy këtyre fuqive, vendet e vogla si Maqedonia nuk kanë shumë hapësirë të jenë neutrale. Ky vendim ishte zgjidhja e vetme e logjikshme duke pasur parasysh se bisedimet me Greqinë po intensifikohen, ndërsa Maqedonia ka qëllime drejt BE dhe NATO-s. Konferenca për shtyp e ambasadorit rus nuk ishte e përshtatshme për fuqi si Rusia, ishte nën secilin nivel dhe e papërshtatshme ndaj një vendi mikpritës”, ka thënë Buçkovski për TV Telma.

Sociologu politik Ali Pajaziti ndërkohë thotë se Rusia, qëllimet e saj ideologjike dëshiron ti realizojë përmes Serbisë dhe siç thotë ai, “vmroizmit politiko-kulturor” në Maqedoni. “Rusia është amza e pansllavizmit dhe Mecena i ideve të orientalizimit dhe ortodoksizimit të Ballkanit. Qëllimet ideologjike dhe ekspansioniste synon t’i i realizojë përmes Serbisë dhe vmroizmit politiko-kulturor me të cilin është në frekuenca të njëjta”, thotë Pajaziti. Ai mendon se margjinalzimi i VMRO-së dhe zgjidhja e nyjës së emrit me Greqinë janë hapat kryesor për të stopuar ndikimin dhe rrezikun rus në Maqedoni.

Njëri nga zyrtarët e lartë të Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti, e etiketon Serbinë si bartës e rrezikut rus në Maqedoni. “Rreziku i ndikimit rus në Maqedoni gjithmonë ka qenë nëpërmjet Serbisë, kjo tendencë ishte edhe në kohën e Gruevskit dhe ka qenë mjaft e theksuar. Është e rëndësishme Qeveria Zaev, çfarë raporte politike do të ketë me Qeverinë e Serbisë dhe kryeministrin Aleksandër Vuçiq. Mendojmë se Zaevi dhe Qeveria sa më larg presidentit Vuçiq të jetë, është aq edhe më larg Rusisë”, thotë Bexheti. Sipas tij, çdo pretendim i hapur i Rusisë për të depërtuar ideologjikisht në Maqedoni, do të përshpejtonte ende më shumë procesin euro-integrues te Maqedonisë në NATO dhe BE, nga se shtetet anëtare të BE dhe NATO-s, për arsye strategjike, do ti ndihmonin Maqedonisë.

Bexheti vlerëson gjithashtu se Qeveria e Maqedonisë hapin e parë që duhet ta bëjë janë reformat në organet e shërbimit inteligjent. “Qeveria e Zaevit duhet po ashtu të bëjë një reformë rrënjësore edhe në organet e sigurimit, kundërzbulimit, duke i evropianizuar ato institucione për nga mentaliteti, sepse tek ato institucionet – sado ti modernizojmë teknologjinë, aty dominon elementi jugosllav dhe komunist dhe pikërisht këtë element duhet ta çrrënjosim tërësisht. Ishte ky element që e bëri 27 prillin dhe shumë raste tjera. Gjithashtu, kjo vlen edhe për në gjyqësi dhe prokurori. Nëse i kemi reformuar këto institucione dhe i kemi orientuar në drejtim të perëndimit dhe Amerikës, atëherë kemi mbyllur një shteg të madh për të depërtuar ndikimi rus ne Maqedoni”, thotë Bexheti.

Por nga VMRO nuk pranojnë të etiketojnë këtë parti si pro ruse dhe pro serbe. Zëdhënësi i partisë Ivo Kotevski përjashton çdo mundësi të afrimit të partisë së tij me Rusinë. “Që nga viti 1991 e këndej dihet kush ka qenë pro Pavarësisë së Maqedonisë dhe kush pro Beogradit. Po t’ua lexoj çdo program të VMRO-së, askund nuk mund të gjeni orientime tjera përveç BE-së dhe NATO-s. Afrimi me Rusinë është akuzë që e vesh LSDM, e cila do të bëjë skepsën. Njerëzit mund të flasin çfarë të duan, por opozita e tanishme nuk mund të etiketohet me ndikimin rus në Maqedoni, por përgjigjen duhet kërkuar te partia në pushtet së çfarë po punon kundër këtij ndikimi që qenka, siç po flitet, në Maqedoni”, thotë Kotevski. Ai mendon se në Maqedoni nuk ka rrezik rus, por ka rrezik nga Zaevi kundër ardhmërisë së Maqedonisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat