Zbatimi i reformave, Ruzhin: Maqedoninë e pret pranverë europiane

Maqedonia

Zbatimi i reformave, Ruzhin: Maqedoninë e pret pranverë europiane

Më: 10 prill 2018 Në ora: 18:39

Në ndërkohë, po vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e dialogut politik dhe miratimin e pakos së ligjeve reformuese. Profesori i universitetit, Nano Ruzhin, njëherit ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, vlerëson se vendi do të marrë raport pozitiv, pavarësisht ngecjeve të fusha të caktuara. 

“Pavarësisht se në këto pak ditë nuk do të mund të miratohet pakoja e ligjeve reformuese, fakti që ato do të vihen në rend dite dhe opozita do të kthehet në kuvend, janë akte të vullnetit të mirë”, – vlerëson Ruzhin. “Fillimisht, është lajm i mirë që opozita po kthehet. Për Brukselin shumë me rëndësi është që pushteti dhe opozita debatojnë në mënyrë demokratike në Kuvend. E dyta, procesi i transformimit demokratik  vazhdon. Është fakt se Maqedonia ka një agjendë të caktuar. Është fakt se po vonohemi në realizimin e disa sipërmarrjeve si shtet. Gjithashtu është fakt se kjo qeveri u deklarua për një rrugë pro-europiane dhe pro-atlantike”,- deklaroi analisti, Nano Ruzhin.
 
Sipas profesorit Ruzhin, edhe procesi i negociatave me Greqinë po ec mirë dhe kësaj here Athina nuk do të pengojë procesin euroatlantik të Maqedonisë.  
 “Vlerësoj se Maqedoninë e pret një pranverë e mirë, pranverë europiane, pasi tani po definohen çështjet rreth emrit dhe me këtë bagazh jam i bindur se do të fitojmë jo vetëm raport pozitiv, por kësaj here Greqia nuk do ta bllokojë Maqedoninë në ambiciet e saj euroatlantike”,- theksoi analisti, Nano Ruzhin.
 
Ruzhin rikujton se procesi i reformave është një proces pafund, pasi transformimet janë të vazhdueshme dhe se nevojë për avancimin e ligjeve ekziston edhe sot, në shtetet anëtare të BE-së. Sipas tij, shumica duhet të përshpejtojë ritmin në këtë rrugë, ndërsa opozita duhet të kontrollojë pushtetin dhe të marrë pjesë në përmirësimin e teksteve ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat