Zv.ministrja Elezi: Për herë të parë, në tregun e kapitalit u lëshua një obligacion shtetëror prej 30 vjetësh!

Maqedonia

Zv.ministrja Elezi: Për herë të parë, në tregun e kapitalit u lëshua një obligacion shtetëror prej 30 vjetësh!

Më: 24 prill 2018 Në ora: 20:26
Zv.ministrja Elezi

Sot, për herë të parë në tregun e kapitalit të Maqedonisë, është lëshuar një obligacion shtetëror me afat maturimi prej 30 vjetësh. Ky është një sinjal për besimin e investitorëve në ekonominë e vendit, pasi rritja e afatit, ose koha për kthimin e mjeteve, tregon rritje të besimit. Besimi i madh u tregua edhe nëpërmjet kërkesës së dyfishtë të investitorëve për obligacionin 30-vjeçar në aspektin e shumës së ofruar nga Ministria e Financave.

Maqedonia, përveç Sllovenisë, është i vetmi vend në rajon që ka lëshuar një obligacion 30-vjeçarë. Më afër me këtë maturim në rajon janë anëtarët e Bashkimit Evropian - Bullgaria, e cila lëshoi një obligacion 20-vjeçarë dhe Kroacia, ku afati më i gjatë në të cilin është lëshuar një obligacion shtetëror është 13 vjet.

Obligacionet me afat maturimi prej 30 vitesh kanë vende si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara. Obligacionin me maturim më të lartë e ka lëshuar Austria, gjegjësisht një obligacion 100-vjeçar.

Ekonomia e Maqedonisë përsëri është në rrugën e duhur. Treguesit ekonomik tregojnë lëvizjen e saj. Rekomandimi i pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, politika e mirë fiskale dhe përmirësimi i paraqitjes së agjencisë kreditore Fiç për Maqedoninë janë të mjaftueshme për të folur për mënyrën se si po lëvizim. Bazuar në gjithë këtë, ne mund të hyjmë në treg me një instrument si një obligacion shtetëror 30-vjeçar, që tregon një besim të fortë nga investitorët -theksoi Shiret Elezi zëvendës ministri i financave.

Investitorët në obligacion 30-vjeçarë janë kompanitë private të pensioneve dhe kompanitë e sigurimeve.

Duke marrë parasysh obligimet e fondeve, synimet ndaj të cilave drejtohet strategjia e investimeve dhe mosha e anëtarësisë së fondeve, investimi në një obligacion 30-vjeçar është në interesin më të mirë të anëtarëve tanë dhe arritjen e qëllimeve të tyre afatgjate. Stabiliteti makroekonomik dhe pritjet pozitive për rritjen afatgjate mbështesin vendimin për investim në këtë instrument – theksuan nga KB Shoqata e parë pensionale.

Ne mirëpresim lëshimin e obligacionit shtetëror prej tridhjetë vjet. Si kompani për menaxhimin e fondeve të pensioneve, si pjesë e shkëmbimit të ideve me Ministrinë e Financave, kemi theksuar më parë nevojën për lëshimin e obligacioneve me maturim më të lartë, i cili do të korrespondojë me maturimin e detyrimeve të pensioneve për anëtarët e fondeve të pensioneve të cilën e menaxhojmë. Duke investuar një pjesë të fondeve në këtë instrument, anëtarët sigurojnë një kthim të qëndrueshëm afatgjatë, i cili është një cilësi shtesë për portofolet e fondeve të pensioneve. Kur menaxhojmë pasuritë e anëtarëve tanë ne jemi gjithmonë të udhëhequr nga parimet e besueshmërisë dhe cilësisë më të lartë brenda mundësive ligjore dhe instrumenteve të lejuara të investimit – thonë nga NLB Fondi i ri pensional.

Obligacioni i ri 30-vjeçar është shitur për një miliard dhe 200 milionë denarë (19.5 milionë euro), që është gjysma e kërkesës nga investitorët. Norma e interesit është 4.85%.

Përveç besimit, lëshimi i letrave me vlerë afatgjatë zvogëlon rrezikun e rifinancimit të borxhit publik. Kështu, në mars të vitit 2012, 92% e letrave me vlerë të qeverisë ishin afatshkurtra dhe 8% me maturim më të lartë, në mars të vitit 2018 ky raport ishte 40% afatshkurtër, kundrejt 60% letrave me vlerë afatgjata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat