Radioja shqiptare në Manastir e hapur më 1993 dhe u dogj në 2001

Maqedonia

Radioja shqiptare në Manastir e hapur më 1993 dhe u dogj në 2001

Më: 26 prill 2018 Në ora: 19:12
ilustrim

Manastiri në fillimvitet e 90-ta ishte ende një qendër që frymonte shqipe me shumë dyqane, biznese që ecnin mirë dhe shqiptarë që nuk mendonin të braktisnin vatrat e tyre. Kulminacioni i arritjeve të tyre ishte hapja e radio stacionit privat “Estrada Fonia” në vitin 1993 nga veprimtari dhe muzicienti Habib Rushani. Kjo radio ishte emblematike dhe se sot pas 25 viteve, Rushani thotë për INA se ishte ndër të parat radio në gjuhën shqipe në Maqedoni, por ndoshta edhe në Ballkan.

Ajo ishte një radio me program të begatë që mbante gjallë shqipen dhe shpirtin shqiptar në Manastir dhe rrethinë, me këngë e valle shqipe nga ora 7 e mëngjesit e deri në mesnatë. “Radioja ishte një institucion kombëtar dhe kulturor që ruante dhe promovonte vlerat tona kombëtare. Kishim programe të larmishme nga ato muzikore, për fëmijë, argëtuese dhe politike. Me radion tonë organizuam mbi 50 mbrëmje muzikore dhe 16 koncerte me emrat e njohur të këngës shqipe si Ilir Shaqiri, Selami Kolonja, Eli Fara, por edhe humoristë e aktorë të estradës shqipe”,
shpjegon Habib Rushani.

Pjesë e saj ishin shumë emra të njohur të intelektualëve dhe entuzistëve nga Manastiri dhe rrethina. Zëri i saj kumbonte për më shumë se 9 vjet, kur një natë marsi të 2001, kur filloi konflikti i armatosur në Tetovë, grupe dhe huliganë të organizuar i vunë flakën radios, duke e djegur tërësisht. Gjykata e Manastirit e shpalli fajtor, drejtësia e fituar në Strasburg Rushani thotë se gjithçka ishte shkrumb e hi dhe se ishin shuar shpresat për të rikthyer radion në gjendjen si ishte me gjithë ate opus muzikor dhe teknikën profesionale të asaj kohe.

Pas qetësimit të situatës, nisën peripecitë nëpër gjykata, duke u zhvilluar 23 seanca, por ajo që ishte çmenduri sipas Rushanit, ai shpallet fajtor sepse kishte lëshuar këngë patriotike që ka provokuar bashkëqytetarët maqedonas. Ky vendim i padrejtë dhe pa dëmshpërblim detyroi që Rushanin që të kërkojë drejtësi në Gjykatën e Strasburgut. Dhe më në fund në Strasburg flet drejtësia, ku ai fiton përballë drejtësisë së padrejtë maqedonase.

Rushani thotë se ka bërë përpjekje për ta hapur radion dhe se për këtë kishte marrë premtime se do ti ndihmonin, edhe nga Teuta Arifi, kryetarja e Tetovës, në cilësinë e zyrtares së lartë të BDI-së dhe që ishte korrespodente e Dojçe Veles, lajme që transmetoheshin në radion e Manastirit. “Më thoshte se do të mundohet, por kot, nuk u bë asgjë. Sa i përket Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës nuk ju kam drejtuar, por me siguri do të më thonë se keni qeverinë tuaj në Maqedoni.”, thekson Rushani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat