Pas rekomandimit të pakusht, Maqedonia në qershor pret datë për negociata

Maqedonia

Pas rekomandimit të pakusht, Maqedonia në qershor pret datë për negociata

Më: 27 prill 2018 Në ora: 15:26
Ilustrim

Në dy raportet e kaluara të Komisionit Evropian për shkak të krizës politike të thellë dhe regresit me reformat dhe konstatimin për shtet të robëruar, rekomandimi për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian u suspendua dhe u kushtëzua me sigurimin e ambientit demokratik dhe reformat demokratike. Këtë vit rekomandimi është i pastër dhe i pakushtëzuar dhe na paraprijnë hapa të cilat duhet t’i kalojmë deri në portën e BE-së. Asnjëherë nuk kemi qenë më afër dhe nuk do ta lëshojmë asnjë pëllëmbë prej këtij procesi.

Këtë sot e porositi kryeministri, Zoran Zaev në seancën e Këshillit Kombëtar për Eurointegrime në të cilin u shqyrtua Raporti i KE-së për Republikën e Maqedonisë për vitin 2018. Ai e vlerësoi marrjen e rekomandimit të pakusht për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE si ngjarje për të cilën janë krenarë të gjithë qytetarët, si konfirmim për punën e arrirë dhe shtoi se kjo paraqet motiv të fuqishëm që të vazhdohet me reformat me qëllim që në qershor të merret datë për fillimin e negociatave.

“Jemi të gatshëm për këtë hap të ri përpara. Fuqimisht jemi të përcaktuar të zbatojmë zgjidhje të qëndrueshme përmes reformave esenciale në të gjitha fushat e përfshira në planin 3-6-9”, tha Zaev dhe shtoi se Qeveria akoma më me vendosmëri do t’i udhëheq proceset reformuese në dy muajt e ardhshëm.

Potencoi se në bazë të Raportit të BE-së janë përcaktuar proceset e ardhshme reformuese që duhet të zbatohen deri në fund të këtij viti.

Ambasadori bullgar, Ivan Petkov, vendi i së cilit është kryesues aktual me BE-në, theksoi se të gjithë qytetarët e Maqedonisë mund të jenë krenarë për marrjen e rekomandimit të pakusht pasi që të gjithë kanë ndihmuar për këtë dhe shtoi se për këtë ka kontribuuar edhe përmirësimi i marrëdhënieve të mira fqinje, siç tha, ka qenë i domosdoshëm guximi i dy kryeministrave. Paralajmëroi se në takimin e BE-së në Sofje në maj do të shqyrtohet se si duhet të ndihmohet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë me reformat me qëllim që të bëhen anëtare të ardhshme të Unionit.

Lukas Holub nga Delegacioni i BE-së në Maqedoni theksoi se edhe krahas progresit të evidentuar në Raportin e BE-së, vendi duhet të vazhdojë me reformat. Ai rekomandoi KSHZ të formohet në kohë me mandat dhe resurse për zbatimin e detyrës së vet në mënyrë transparente dhe të paanshme, Kuvendi të udhëheq dialog konstruktiv, të mos sillen ligje me procedurë të shkurtuar, krahas PPS-së dhe institucionet e tjera në mënyrë shumë më aktive të bëjnë luftë me korrupsionin, të rritet pavarësia e trupave rregullatore,…

Zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bujar Osmani theksoi se raporti ka të bëjë për 16 muaj dhe i përfshin pjesët e punës së Qeverisë së kaluar dhe aktuale.

“Raporti për herë të parë jep krahasim me vendet e rajonit dhe mundësi për krahasim me atë që është realizuar. Edhe pse Maqedonia nuk e ka të hapur asnjë kapitull, ndërsa disa i kanë hapur të gjitha 30, ajo është e para në plotësimin e pjesës ekonomike dhe e ndan pozitën e parë me Malin e Zi në pjesën politike”, tha Osmani.

Kryetari i Këshillit Kombëtar për Eurointegrime, Nikolla Poposki nga VMRO-DPMNE tha se të gjithë do ta kemi më mirë nëse i zbatojmë standardet evropiane. Ai theksoi se vendi duhet të kalojë në zbatimin e ligjeve dhe jo vetëm në harmonizimin e tyre me standardet evropiane, dialogu të jetë i hapur dhe inkluziv dhe jo aq larg opinionit. Qeverisë i rekomandoi të jetë e hapur për kritika dhe në vend të celebrimit të drejtohet drejt raporteve kritike që t’i korrigjojë pjesët të cilat janë theksuar dhe ta përmirësojë ekonominë.

Poposki tha se edhe në kaluarën LSDM si opozitë ka bërë obstruksione politike, por vendi ka shënuar progres në aspektin ekonomik, ndërsa tani edhe pse VMRO-DPMNE si opozitë nuk bën kurrfarë obstruksionesh shteti ka ngecur ekonomikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat