Në Gjykatën penale seanca të reja për “Titanik 3”, “Tank” dhe “Trust”

Maqedonia

Në Gjykatën penale seanca të reja për “Titanik 3”, “Tank” dhe “Trust”

Më: 8 maj 2018 Në ora: 10:17
Ilustrim

Seanca të reja sot në Gjykatën penale duhet të mbahen për lëndët “Titanik 3”, “Tank” dhe “Trust”. Gjykimi për lëndën “Titanik 3” të PSP-së që duhej të fillojë më 27 prill në Gjykatën penale, u shty për sot, ndërsa arsyeja për shtyrjen ishte mosprania e avokatit Milanko Elenov. Gjykimi për këtë lëndë u shty edhe më 16 mars për shkak të mospranisë së të akuzuarit të parë Ejup Alimi, i cili, siç informoi atëherë avokati i tij, si koordinues i grupit të deputetëve të BDI-së ishte në udhëtim zyrtar në Shqipëri. Në lëndën “Titanik 3”, përveç Alimit, akuzohet edhe Ismet Guri, anëtar i Komisionit zgjedhor komunal për komunën e Çairit. Të dy akuzohen për “shkatërrim të materialit zgjedhor”. Në gjykimin për lëndën “Tank” të PSP-së më 25 prill dëshmoi Dejan Mitrovski Urko, ish-shef i sigurimit të Nikolla Gruevskit.

Në “Tank” për furnizimin e mercedesit luksoz prej 600 mijë eurove, akuzohen ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish-ndihmës ministri në MPB Gjoko Popovski. Para dy seancave Gjykata solli vendim për ta ndarë procedurën për Jankullovskën për shkak të “shtatzënisë së rrezikshme”. Seancë e re sot duhet të mbahet edhe për lëndën “Trust”, në të cilën të akuzuar janë biznesmeni Sead Koçan dhe edhe dy persona fizikë dhe tre juridik, midis të cilëve edhe drejtuesit e kompanive “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” SHPKNJP nga Studeniçani për pjesëmarrje në tenderin e ELEM-it. Sipas prokurorëve të PSP-së, të akuzuarit Sead Koçan, Vasilije Aviroviq dhe Safet Vatiq, si dhe ndërmarrjet “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” kanë keqpërdorur përafërsisht 1.060.000.000 denarë, gjegjësisht 17 milionë euro, para të qytetarëve. Sipas dëshmive, prokurorët e PSP-së do të dëshmojnë se me një seri dokumentesh të pavërteta, janë shkelur parimet e konkurrencës së shëndoshë dhe se kanë lëvizur rregullat e furnizimit publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat