Asnjë qeveri nuk mund t’u përmbahet premtimeve zgjedhore

Maqedonia

Asnjë qeveri nuk mund t’u përmbahet premtimeve zgjedhore

Më: 8 maj 2018 Në ora: 18:09
Zoran Zaev

Qeveria reformator e Zoran Zaevit po "çalon" në realizimin e reformave por për këtë nuk është fajtorë vetëm se kryeministri, thonë analist politik duke komentuar qeverisjen e deritanishme LSDM-BDI.

"Është i saktë konstatimi se reformat po ecin me një tempo të ngadaltë por për këtë nuk do ta fajësoja vetëm kryeministrin Zaev.  Kuptohet se përgjegjësia më e madhe bie mbi të, por nuk duhet haruar se jo gjithçka mvaret prej tij dhe ekipit të tij. Megjithatë, mendoj se edhe disa zgjedhje kadrovike kanë mundur të jenë më të mira, posaçërisht ato kuadro prej të cilëve mvaren reformat në gjygjësi", thotë Faton Aliti, analist poltik.

Nga ana tjetër, gazetari dhe opinionisti Daut Dauti thekson se është kohë e shkurtër për të gjykuar realizimet ose dështimet e një qeverie pas një viti pushtet.

"Është kohë e shkurtër për të gjykuar realizimet ose dështimet e një qeverie pas një viti pushtet, sidomos në aspektin e realizimeve në fushën e ekonomisë dhe politikës sociale. Një vit është pak për shkak se për aq kohë mund të merret ndonjë masë ose të ndryshojë rregullativa që do t’u jep kahe proceseve zhvillimore, por nuk mund dhe të presësh rezultate që do ta ndryshonin gjendjen. Pra, duhet kohë për t’u parë efektet, sepse mund që masat e ndërmarra të ndryshojnë gjendjen në drejtim pozitiv, por mund dhe të tregohen të dëmshme. Kur t’i pyesësh qeveritarët pastaj, kanë përgjigjen: kemi një mandate katërvjeçar për ta ndryshuar gjendjen, të shpresojme se të paktën për këtë mandat t’i shohim rezultatet e premtuara", thekson Daut Dauti, gazetar dhe opinionist.

Por, shton mëtej Dauti, qytetari është i padurueshem dhe ka kujtesë dhe ia kujton çdo qeverie çka ka premtuar, prandaj edhe kjo qeveri ka gjëra të cilat i ka premtuar për kohë më të shkurtër, disa i ka bërë(heqjen e taksës për radiotelevizion), disa i ka në proces(rritja e rrogave minimale) por dhe tjera që nuk po bëhen, si bie fjala rritja e rrogave në arsim.

"Dëgjuam një arsyetim të ministres së arsimit se edhe ajo do të donte rrogë më të lartë pasi është profesore vetë, porse nuk qenka e mundur tash të bëhet sepse qeveria e kaluar e paska zbrazur buxhetin? A mund të mbajë ky arsyetim? Nuk mund të mbajë, sepse se çka ka bërë qeveria e kaluar është  ditur dhe se qeveria e re ka ardhur ta ndryshojë gjendjen dhe këtë e ka premtuar. Natyrisht se asnjë qeveri nuk mund t’u përmbahet premtimeve zgjedhore, as këtu, e as në botë, të paktën jo të gjtha premtimeve, pra, as kjo e Zoran Zaevit", nënvizon Dauti.

Sipas tij, kjo qeveri mund të ketë alibi se gjatë këtij viti janë bërë përpjekje edhe në disa fusha tjera të rëndësishme, siç është çështja e emrit dhe ligji i gjuhës ose rishikimi i proceseve të montuara politike, proceset eurointegruese, në të cilat do pranuar se ka pasur lëvizje pozitive. 

"Ato e kanë shterrë mjaft energjinë për t’i zgjidhur problemet tjera, dhe këtu mund të ketë diçka të vërtetë. Por, unë do të thosha në fund se qeveritë e LSDM-së shpesh në të kaluarën kanë dështuar pikërisht në çështjet ekonomike, siç janë privatizimi, punësimi, rritja e papnësisë..., dhe do ta kisha përsëritur të vëretetën se kjo qeveri, shumë më lehtë e ka të mbyllë ndonjë çështje politike, t’i relaksojë marrëdhëniet ndëretnike, por e ka shumë vështirë dhe të paktën këtë nuk mund ta bëjë për kohë të shkurtër, në planin e zhvillimit ekonomik, ku objektivisht gjërat nuk mund të lëvizin në drejtim pozitiv ashtu siç janë nevojat e shtresave të gjera. Kam frikë se edhe këto disa masa janë bërë jashtë parakushteve reale që mundëson ekonomia e vendit, me kredi e hua, të cilat pastaj shumë shtrenjtë do t’i paguajmë",ka pohuar Daut Dauti, gazetar dhe opinionist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat