Lëvizja Besa e Bilall Kasamit ndërpret bisedimet me Zaevin për kyçje në qeveri

Maqedonia

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit ndërpret bisedimet me Zaevin për kyçje në qeveri

Më: 12 maj 2018 Në ora: 14:32
Zoran Zaev

Lëvizja Besa e cila udhëhiqet nga Bilall Kasami përmes një komunikate për media njofton se do të ndërpresin bisedimet me kryeministrtin Zoran Zaev për zgjerimin e shumicës parlamentare.

Nga kjo parti akuzojnë Zoran Zaevin për qasje joserioze, i cili sipas tyre, përmes opsionit të blerjes së kohës po mundohet që politikisht të harxhojë të gjitha palët që janë duke negociuar për kyçje në qeveri.

“Pasi që ky proces i negociatave po vazhdon më shumë se katër muaj pa një epilog konkret, vlersojmë se tashmë janë tejkaluar të gjitha limitet kohore dhe duke mos dashur që Lëvizja Besa të mbetet peng i kalulimeve teknike të shumicës parlamentare, duke nisur nga sot i ndërprejmë të gjitha bisedimet me kryeministrin e vendit sa i takon kyçjes të Lëvizjes Besa në Qeverinë e Maqedonisë”, thonë nga Lëvizja Besa.

Ata thonë se kanë pritur që me kalimin e kohës qeverisja e Zoran Zaevit do të lirohet nga BDI si dhe një pjesë e ish-regjimit të Nikolla Gruevskit.

“Për fat të keq duke pasur parasysh palët të cilat për çdo ditë i shtohen negociatave për rritjen e shumicës parlamentare, tashmë jo vetëm BDI por edhe elementet e tjera që kanë qenë pjesë e regjimit të Gruevskit po lëshojnë rrënjet e tyre edhe në këtë qeverisje e cila po humb epitetin e qeverisë reformatore”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Besa.

Nga kjo parti shtojnë se ata do të vazhdojnë të jenë opozitë konstruktive, duke ngritur zërin ndaj çdo veprimi të gabuar politik të qeverisë si dhe duke inicuar dhe përkrahur çdo reformë e cila do ta përmirësonte standardin jetësor, demokracinë e vendit dhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat