Dy vite nga vërshimet në Straçincë, banorët akoma ndjejnë pasojat

Maqedonia

Dy vite nga vërshimet në Straçincë, banorët akoma ndjejnë pasojat

Më: 13 maj 2018 Në ora: 14:44
Straçincë

Tashmë dy vjet banorët e fshatit Straçincë të Komunës Gazi Babë të Shkupit nuk arrijnë të punojnë tokat bujqësore në hyrje të fshatit për shkak të rrugës së bllokuar nga vërshimet e vitit 2016.

Edhe dy vjet nga vërshimet tokat vazhdojnë të jenë të mbuluara me copa të mëdha betoni, gurë dhe rërë që u shembën nga mali që ndodhet mbi fshat. Për të arritur në tokat e tyre, banorët ankohen se duhet të bëjnë rrugë të gjatë më shumë se 4 kilometra.

“Nuk është kjo tokë pjellore për momentin, po e shihni edhe vet, në fushën time nuk mund të arrije prej fshatit por jemi të detyruar të vijmë prej në Stajkovcë, me bë qark për me arrit. Pa u rregulluar kanalizimi, këto kanalet e mëhershme kjo tokë asnjëherë nuk bëhet, se mund të ndodhë i njëjti shi, e njëjta rrëmujë edhe sërish me sjell në të njëjtën gjendje edhe nuk ka rezultat”, tha për Alsat, banori Dilaver Halili.

Që tokat të kthehen në gjendjen e mëparshme, banorët thonë se duhet intervenuar me eskavator dhe mekanizëm tjetër të cilin duhet ta sigurojë komuna e Gazi Babës. Nga kjo e fundit u arsyetuan se po shqyrtojnë këtë kërkesë të banorëve, mirëpo se e njëjta ishte lënë pas dore nga udhëheqësia e kaluar e komunës.

Tokat bujqësore të fshatit Straçincë llogariten si tokat më pjellore në Shkup ku zhvillohen të gjitha të mbjellat bujqësore të pemëve dhe perimeve. Ndërkohë, straçincasit si ekzistencë të vetme kanë bujqësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat