Vërshimet e para dy viteve në Straçincë, banorët akoma i ndjejnë pasojat

Maqedonia

Vërshimet e para dy viteve në Straçincë, banorët akoma i ndjejnë pasojat

Më: 13 maj 2018 Në ora: 20:07
Vërshimet në Maqedoni

Tashmë dy vjet banorët e fshatit Straçincë të Komunës Gazi Babë të Shkupit nuk arrijnë të punojnë tokat bujqësore në hyrje të fshatit për shkak të rrugës së bllokuar nga vërshimet e vitit 2016. Edhe dy vjet nga vërshimet tokat vazhdojnë të jenë të mbuluara me copa të mëdha betoni, gurë dhe rërë që u shembën nga mali që ndodhet mbi fshat. Për të arritur në tokat e tyre, banorët ankohen se duhet të bëjnë rrugë të gjatë më shumë se 4 kilometra.

Nuk është kjo tokë pjellore për momentin, po e shihni edhe vet, në fushën time nuk mund të arrije prej fshatit por jemi të detyruar të vijmë prej në Stajkovcë, me bë qark për me arrit. Pa u rregullu kanalizimi, këto kanalet e mëhershme kjo tokë asnjëherë nuk bëhet, se mund të ndodhë I njejti shi, e njejta rrëmujë edhe sërish me sjell në të njëjtën gjendje edhe nuk ka rezultat – tha Dilaver Halili, banor.

Një tokë 3 mijë metra e kam atje më ka kushtu afër 600 euro që e kam rregullu vet, por rruga nuk është e ndërtuar. Ata të komunës erdhën dhe vetëm u fotografuan, e sollën një eskavator, ashtu me shpejtësi, kinse punuan për 15-20 minuta, e morën eskavatorin dhe ikën, asgjë nuk bën. Si nuk kemi pas përfitime, këto toka që po i shihni dredhëzat më të para I kanë nxjerr në, tokë pjellore më të mirë nuk ka, ama tash nuk mundemi ta punojmë..Përfitime kemi pas ne kemi jetu prej kësaj toke, fëmijët i kam shkollu – u shpreh Murtezan Fazliu, banor.

Në gjendje katastrofale, i kemi lënë të gjitha, s’ka rrugë me dal, as me traktor e as në këmbë. Këtu e kemi pas jetesën, fëmijët I kemi shkollu. Me llopat nuk shkon, duhet eskavator, mekanizëm, që me bë diçka, në të kundërtën duhet të heqim dorë. Unë për veti nuk kam mar asgjë, dëm më shumë prej krejtve, edhe në shtëpi edhe në tokë – theksoi Sadush Osmani, banor.

Që tokat të kthehen në gjendjen e mëparshme, banorët thoë se duhet intervenuar me eskavator dhe mekanizëm tjetër të cilin duhet ta sigurojë komuna e Gazi Babës. Nga kjo e fundit u arsyetuan se po shqyrtojnë këtë kërkesë të banorëve, mirëpo se e njëjta ishte lënë pas dore nga udhëheqësia e kaluar e komunës. Tokat bujqësore të fshatit Straçincë llogariten si tokat më pjellore në Shkup ku zhvillohen të gjitha të mbjellat bujqësore të pemëve dhe perimeve. Ndërkohë, straçincasit si ekzistencë të vetme kanë bujqësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat