Dimitrov: Mundet të ndodhin “çudira” për emrin

Maqedonia

Dimitrov: Mundet të ndodhin “çudira” për emrin

Më: 16 maj 2018 Në ora: 16:29
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov

Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov tha se zgjidhja e emrit do të ishte mrekulli, por se mrekullitë ekzistojnë. Dimitrov këto komente i bëri gjatë një paneli në kuadër të Samitit të Sofjes, ku theksoi se procesi i integrimit në BE i transformon vendet dhe se do të ishte tragjedi për vendin nëse nuk fillon negociatat për anëtarësim.

Nuk ka të bëjë me tejkalimin e kapitujve, por me shfrytëzimin e procesit për të ndryshuar. Ne nuk duam të anëtarësohemi nesër, sepse do ta kemi të njëjtin vend. Por procesi i anëtarësimit është mjeti më i mirë që e ka BE-ja për t’iu ndihmuar atyre që duan të reformohen. Ne kemi sfidën e fundit më të madhe në aspekt të problemeve dypalëshe. Mendoj se do të ishte mrekulli nëse do ta zgjidhim, gjithsesi mrekullitë janë të mundshme. Të gjithë kemi nevojë për mrekulli – deklaroi  Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Homologia e tij bullgare, Ekaterina Zaharieva thekson se zgjidhja e problemit të emrit është e domosdoshme në mënyrë që vendi të bëhet pjesë e BE-së.

Nuk mendoj se njerëzit e Evropës Perëndimore janë të frikësuar nga qytetarët dhe vendet e reja, por shqetësohen se çfarë do të ndodhë kur të bëhen vende anëtare, a do t’i transferojnë problemet e tyre brenda BE-së?! Ne duhet të jemi unik, ky problem i së kaluarës do të jetë pjesë i vendim-marrjes. Pra puna e parë që duhet bërë është të tregojmë se ne mund t’i zgjidhim problemet mes vete dhe të jetojmë në këtë shekull jo në të kaluarën – tha Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Zaharieva shtoi se deri në vitin 2025, dy vende të Ballkanit mund të bëhen pjesë e BE-së. Kryeministri Zoran Zaev ndërkaq duke numëruar arsyet pse vendi meriton të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, theksoi se është momenti që vendet e Ballkanit Perëndimor të kontribuojnë në ndërtimin e një BE-je më të fuqishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat