Ide dhe para ka, mungon vëmendja e institucioneve

Maqedonia

Ide dhe para ka, mungon vëmendja e institucioneve

Më: 21 maj 2018 Në ora: 23:30
Ilustrim

Mërgimtarët shqiptar nga Maqedonia posedojnë edhe kapital financiar dhe njerëzor, apo profesionistë të lëmive të ndryshme për të investuar në vendlindje, por megjithatë joshja e një pjese të tyre të kthehen dhe hapin vende të reja pune këtu, kërkon një vëmendje dhe kujdes më të madh nga ana e institucioneve që e kanë edhe obligim ligjor të përkujdesen për hallet dhe problemet e mërgimtarëve, shkruan gazeta KOHA. Mërgimtarët e dikurshëm dhe afaristët e suksesshëm sot në Maqedoni, thonë se nevojitet një kujdes dhe kontakt më i madh dhe i drejtpërdrejtë nga ana e të punësuarve shqiptarë në institucionet vendore që janë të angazhuara të komunikojnë me qytetarët që jetojnë dhe punojnë në diasporë.

Gjithashtu, sfidë për Maqedoninë nuk është vetëm kthimi i një përqindje të caktuar të mërgimtarëve, por edhe përmirësimi i ambientit ekonomik dhe standardit me qëllim që një pjese të rinjve të mos mendojnë të blejnë biletën në një drejtim për ikje jashtë shtetit.

Andaj, ekspertët ekonomik thonë se vetëm hapja e vendeve të punës me paga solide, anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ofron shpresë se së paku – një pjesë e të rinjve të mendojnë të mos ikin në perëndim, por të mbesin në Maqedoni. Ekonomistët gjithashtu thonë se mbështetja financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me paga solide jep shpresë se një pjesë e të rinjve që e kanë mendjen të ikin jashtë shtetit, edhe mund të mund të ndërrojnë mendjen dhe të mbeten këtu.

TË PËRMIRËSOHET KOMUNIKIMI ME MËRGIMTARËT

Në ndërkohë, një pjesë e mërgimtarëve të dikurshëm, ndërsa aktualisht afaristë të suksesshëm në Maqedoni, kërkojnë të përmirësohet komunikimi me mërgimtarët shqiptar nga Maqedonia në diasporë për mundësitë e investimeve në vendlindjen e tyre.

Kjo, siç shprehen ata, bëhet vetëm përmes kontakteve të drejtpërdrejta nga ana e institucioneve vendore që janë të angazhuara të komunikojnë me qytetarët e Maqedonisë që jetojnë dhe punojnë në diasporë.

Nagib Fejzi, afarist i njohur në Maqedoni dhe më gjerë, thotë se një pjese të konsiderueshme e mërgimtarëve shqiptarë nga Maqedonia nuk ju mungojnë as të hollat dhe as idetë për të investuar në vendlindje, por vetëm një kujdes, vëmendje dhe kontakt më i madh dhe i drejtpërdrejtë nga ana e të punësuarve shqiptar në Agjencinë e Mërgimtarëve të Maqedonisë.

“Maqedonia mund të ketë sukses më të madh në tërheqjen e investimeve nga diaspora, por vetëm me kusht që Agjencia e Migrimit ti kushtojë një vëmendje më të madhe mërgimtarëve shqiptar në perëndim përmes kontakteve direkte me ta në terren, që do të kuptojnë hallet dhe brengat e tyre, me çka merren ata, çfarë kushtesh ofron shteti për investime e kështu me radhë. Për këtë qëllim nevojitet të shpeshtohen kontaktet e drejtpërdrejta të të punësuarve shqiptar në këtë agjenci, për shkak se mërgimtarët shqiptar në perëndim shpesh edhe nuk e njohin mjaftueshëm gjuhën maqedonase, andaj ato shumë më lehtë mund ti bindë dhe ti joshë të investojë kapitalin e tyre dikush që e njeh gjuhën e tyre amtare, mentalitetin dhe traditën e tyre familjare”, thekson Fejzi.

Sipas tij, në këtë drejtim nevojitet një angazhim më i madh i Agjencisë së Mërgimit të Maqedonisë, e cila po të ketë nevojë – duhet të punësojë edhe më shumë shqiptarë që nesër edhe në përcjelljen e mërgimtarëve që janë kthyer në vendlindje, të lobojnë që së paku një pjese e mërgimtarëve të shqyrtojnë seriozisht mundësinë të kthehen dhe investojnë në vendlindje.

Fejzi shton më tej se Maqedonia ofron kushte dhe pako mjaft të mira për investim, ka lehtësime të ndryshme si dhe përmirësim të situatës politike në vend, por megjithatë mërgimtarët nuk dinë dhe nuk janë të njoftuar se çka me të vërtetë ofrohet për investitorët e huaj dhe vendorë.

“Gjithashtu, Maqedonia në këtë drejtim mund të shfrytëzojë edhe përvojat e suksesshme të mërgimtarëve të Kosovës, që kanë realizuar bashkë-investime të suksesshme me afaristët nga Gjermania apo Zvicra, fillimisht edhe në raportin 90 me 10 për qind në favor të investitorëve gjerman apo zviceran që më vonë në një pjesë të madhe ju kanë shitur aksionet e tyre mërgimtarëve kosovar, ndërsa sot paraqesin shembuj të vërtetë të suksesit të biznesit”, thotë për KOHA, afaristi Nagip Fejzi.

SHEMBULLI TE REMITENCAT

Nga ana tjetër, ekspertët ekonomik thonë se vetëm hapja e vendeve të punës me paga solide, anëtarësimi në NATO, si dhe fillimi i negociatave ofron shpresë se së paku një pjesë e të rinjve të mendojnë të mos ikin në perëndim, por të mbesin në Maqedoni. Sipas profesorit universitar, Nasir Selimi, hapja e vendeve të reja të punës sidomos në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me paga solide jep shpresë se një pjesë e të rinjve që e kanë mendjen të ikin jashtë shtetit, edhe mund të mund të ndërrojnë mendjen dhe të mbeten këtu. Pra , varfëria dhe mungesa e perspektivës i shtyn të rinjtë të ikin jashtë, andaj si shtet edhe humbim një faktor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të shtetit, shton më tej Selimi.

“Diaspora paraqet një burim shumë të rëndësishëm ekonomik për zhvillimin e shtetit, andaj nevojitet që në këtë drejtim, mërgimtarëve tu ofrohen privilegje dhe pako të volitshme për investim në vendlindje, apo programe të gatshme për investime në fusha të ndryshme. Bile të mos harrojmë se edhe vlera e remitencave që mërgimtarët për çdo vjet i sjellin në vendlindje për disa herë e tejkalon shumën e totalit të investimeve të huaja në Maqedoni. Andaj edhe shtrohet çështja se pse volitshmëri më të mëdha të mos ju ofrohen mërgimtarëve me qëllim që të investojnë në vendlindjen e tyre? Gjithashtu, në kontaktet me diasporën, nuk duhet të mbetet vetëm në premtimet boshe, por duhet që edhe zotimet të realizohen në mënyrë konkrete”, shpjegon Selimi nevojën që më shumë vëmendje ti kushtohet potencialit të madh që ka diaspora për të përmirësuar ekonominë e Maqedonisë. Ai shton më tej se shteti nevojitet që edhe të targetojë mërgimtarët e suksesshëm që posedojnë si kapital financiar ashtu edhe shkathtësi të ndryshme profesionale. “Gjithashtu, diaspora vitet e kaluara shpesh është neglizhuar duke pasur probleme nga më të ndryshmet me burokracinë që bën që ajo të ftohet kur bëhet fjalë edhe për idetë e ndryshme që të investojë kapitalin e saj në Maqedoni”, thekson Selimi.

Maqedonia mund të shfrytëzojë dhe të adaptojë ndaj kushteve tona edhe përvojat e shteteve me diasporë të madhe që kanë pasur sukses në kthimin e një pjese të, tyre siç është për shembull Irlanda, thotë Selimi. Nga ana tjetër, Analiza e institutit “Riinvest” nga Prishtina tregon se nuk ka studime të cilat në mënyrë vendimtare demonstrojnë që diaspora dhe migruesit qarkullues mund të asistojnë materialisht vendin për të arritur një rritje ekonomike të qëndrueshme. Sidoqoftë, ka disa shembuj të cilët e rrisin besimin në këtë drejtim për një rritje të qëndrueshme ekonomike shpjegon analiza e “Riinvest”.

IRLANDA

Së paku që nga viti 1840, Irlanda ka qenë eksportuese e njerëzve. Kohëve të fundit, që nga vitet e 70-ta, Irlanda është konsideruar të jetë vendi i dytë apo i tretë në botë, anomali në Evropën Perëndimore. Më shumë se 1000 njerëz në ditë kanë emigruar, kryesisht në Britani. Shumë nga diaspora kanë dërguar remitenca në shtëpi, duke lehtësuar vështirësitë e atyre që kanë mbetur prapa.

Mirëpo, deri në vitet e 80-ta, investimet e jashtme direkte nuk kanë marrë hov në Irlandë. Shumë nga këto kanë qenë nga SHBA-ja, zakonisht të ndërlidhura me biznesmenët nga diaspora. Në shumë vite, Irlanda e vogël ka numëruar më shumë se 10 për qind të të gjitha investimeve nga SHBA-ja në Evropën Perëndimore. Vetëm brenda një dekade, Irlanda ka kaluar nga një ndër vendet më të varfra në Evropë, te njëra ndër vendet më të pasura të saj. Duke nënvizuar këtë kthim dramatik, PBB për kokë banori e Irlandës aktualisht tejkalon atë të Britanisë së Madhe dhe Irlanda ka një rrjedhë pozitive neto të migruesve (më shumë ardhje sesa shkuarje). Ka shumë faktorë të çilët kanë kontribuar në ngritjen e “Tigrit Kelt”. Më i rëndësishmi prej tyre është pranimi në Bashkimin Evropian, në vitin 1973, me qasje në tregjet shërbyese dhe subvencione. Përveç kësaj, ka pasur reforma të rëndësishme, të cilat kanë bërë Irlandën më atraktive për bizneset. Megjithatë, duket e vërtetë që mrekullia irlandeze është ndihmuar në mënyrë sinjifikante nga investimet të lidhura me diasporën.

IZRAELI

Tregimi i Izraelit është shumë i ngjashëm me atë të Irlandës. Deri në vitet e 90-ta, Izraeli ka qenë kryesisht një vend bujqësor dhe IJD-të apo investimet e jashtme kanë qenë relativisht të parëndësishme (OECD, 2002). Duke filluar në vitet e 90-ta, ka pasur rritje në nivelin e IJD-ve, shumica e tyre të koncentruara në industritë me teknologji të lartë. Rritja e Izraelit është përshpejtuar edhe mes të viteve 1990 dhe 2003, PBB apo Prodhimi i Brendshëm Bruto e tij është rritur për 50 për qind. Nuk ka dëshmi të qarta rreth nivelit të përfshirjes së diasporës, mirëpo dominimi i investimeve nga SHBA-ja sugjeron që diaspora në këtë rast ka qene një element i fuqishëm. Për të treguar rëndësinë e investimeve në këtë ekonomi të vogël, në bursën NASDAQ, kompanitë e huaja të listuara më së shpeshti kanë qenë nga Izraeli.

ARMENIA

Armenia është, ndoshta, shembulli më relevant për Kosovën. Sikurse Kosova, është e kufizuar me tokë dhe në fokus të debateve ndërkombëtare që në mënyrë potenciale zvogëlojnë atraktivitetin e saj për investime. Gjithashtu, sikurse edhe Kosova, ajo ka pasur deficite të larta tregtare, ekuivalent me çerekun e PBB -së gjatë viteve 1996 deri 2000. Që nga viti 2000, megjithatë, ekonomia e Armenisë ka qenë njëra nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë. Ngjashëm me Izraelin dhe Irlandën, reformat për të krijuar një mjedis më atraktiv për bizneset dhe për të krijuar një sektor fleksibil financiar kanë hapur rrugën dhe rritja ka qenë e ushqyer, pjesërisht, nga investimet nga diaspora dhe remitancat, si nga diaspora ashtu edhe nga migruesit qarkullues. Ndryshimet kryesore mes të, në njërën anë, Irlandës dhe Izraelit, dhe, në anën tjetër, Armenisë ishin se Armenia ka filluar nga një nivel më i ulët ekonomik dhe ka qenë e ngarkuar me dëme sinjifikante të pronave, nga tërmeti i vitit 1989, si dhe nga trashëgimitë e luftës me Azerbajxhanin (25000 të vdekur, të plagosurit e luftës, dhe shpenzimet e rënda ushtarake). Në raport me madhësinë e ekonomisë së Armenisë, diaspora dhe migruesit qarkullues kanë qenë faktori më i madh. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat