Javë intensive për lëndët e PSP-së

Maqedonia

Javë intensive për lëndët e PSP-së

Më: 27 maj 2018 Në ora: 20:39
PSP

Proceset gjyqësore nuk kanë të ndaluar as gjatë ditëve të fundit para pushimit kolektiv veror. Gjatë javës së ardhshme rasti Titanik për manipulime zgjedhore do të gjykohet dy herë, ndërsa do ketë seanca gjyqësore edhe për rastin “Transportuesi”, “Trajektorja”, “Tarifa” dhe “Total”.

Të hënën, Nikolla Gruevski do të dalë para gjykatës së bashku me ish shefin e kabinetit të kryeministrit Martin Protugjer, dhe me krahun e tij të djathë Mile Janakievski. Të akuzuar janë edhe  ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska e cila në rastin “Tanku” e shfrytëzoi mundësinë për prolongim të gjykimit, shkaku i shtatëzënisë së rrezikshme.  Listës të të akuzuarve në këtë rast i janë shtuar edhe deputeti Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristkovski, Kirill Todorovski, Katerina Vellovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska. Të akuzuarit ngarkohen me veprat e bashkimit kriminel, cenimin e të drejtës së votës dhe lirinë e zgjedhjes së mëvetësishme. Disa ngarkohen edhe për mito dhe shkatërrim të materialeve zgjedhore të vitit 2012 por edhe financim të paligjshëm. Ky është procesi më i madh dhe më serioz i Prokurorisë Speciale i cili u hap i pari, pas themelimit të PSP-së dhe me numrin më të madh të të akuzuarve të cilët PSP dyshon t’i ketë udhëhequr Nikolla Gruevski. Gjykim për rastin “Titanik” do të ketë edhe të enjten.

Por Nikolla Gruevski do duhet të paraqitet në gjykatë edhe të martën, për rastin “Trajektorja” i cili më 22 maj u anulua shkaku i verdiktit për rastin “Tanku” në të cilin ai u dënua me dy vjet burg. Në rastin “Trajektorja” të akuzuar janë edhe ish-zv.kryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i transportit dhe lidhjeve Mile Janakieski dhe ish-drejtori i Agjencisë së Rrugëve, Ljupço Georgievski që dyshohet të kenë manipuluar tenderin për ndërtimin e autostradave Kërçovë-Ohër dhe Milladinovc-Shtip dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 155 milion euro. Pjesë e materialit të provave kundër Gruevskit dhe ish bashkëpunëtorëve të tij janë 315 biseda të përgjuara.

Pas Trajektores do të ketë gjykim edhe për rastin “Tarifa” ku i akuzuar kryesor është Dejan Boshkovski dhe dy të akuzuar të tjerë që akuzohen se kanë keqpërdorur mbi 3.5 milion euro nëpërmjet një tenderi për blerje të një softueri për nevojën e elektranave të Maqedonisë. Të tre të akuzuarit janë shprehur të pafajshëm në seancat e kaluara gjyqësore.

Të enjten do të ketë gjykime për rastet “Transportuesi” dhe “Total”.
Rasti “Transportuesi” me të akuzuarin kryesor Vlladimir Talevski, i cili në kohën e tij si kryetar ka shpërdorur mjete publike, duket të jetë kah fundi. Në këtë proces Talevski akuzohet se së bashku me disa drejtorë shkollas fillore dhe të mesme, kanë manipuluar me çmimet për transportimin e nxënësve. Kostoja e vozitjes është shumëfishuar në mënyrë astronomike.

Në rastin “Total”, do të vazhdojë gjykimi për kryeredaktorin e televizionit “Sitel”, Dragan Pavlloviç Llatas, i cili akuzohet se ka bërë evazion fiskal. Pas disa gjykimeve të anuluara, Llatas para disa ditësh u ul në bankën e të akuzuarve megjithatë gjykimi nuk filloi pasi mbrojtja u nxorr se nuk i ka shqyrtuar ende transkriptet nga bisedat e përgjuara. Llatasi akuzohet se i është shmangur tatimit prej vitit 2008 e deri në vitin 2015 dhe kështu e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 120 mijë euro, ndërsa personin fizik për mbi 63 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat