Ligji për ratifikimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë të nënshkruar të dielën në Prespë, pritet të kalojë në Qeverinë e Maqedonisë.
Më pas, të mërkurën pritet ligji do të dërgohet në Parlament për votim.
Për miratimin nevojitet shumicë e thjeshtë, gjegjësisht shumica e të pranishmëve në sallë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë ‘për’.
Sipas procedurave, pas kësaj ligji dërgohet në presidencë.
Presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet të nënshkruajë të njëjtin. Përderisa Ivanov përdor të drejtën e vetos,marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojiten minimum 61 vota të deputetëve për miratimin e ligjit dhe i njëjti përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas kushtetutës është i obliguar që ta nënshkruajë.
Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë.
Implementimi i marrëveshjes do të zhvillohet në disa etapa.
Do të hyjë në fuqi pasi dyja palët do ta pranojnë në përputhje me procedurat e brendshme, ndërsa përderisa cilado palë nuk e pranon marrëveshjen atëherë ajo nënkupton se e njëjta nuk vlen.