Negociatat për anëtarësim, Greqia mbështetje Maqedonisë dhe Shqipërisë

Maqedonia

Negociatat për anëtarësim, Greqia mbështetje Maqedonisë dhe Shqipërisë

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 13:55
Nikos Kotzias

Kreu i diplomacisë greke Nikos Kotzias u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE, si Danimarka, Belgjika, Holanda dhe Franca që kanë kundërshtime për fillimin e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, të kuptojnë se vërtet që ka probleme në këto dy vende, por ato do te zgjidhen më mirë, vetëm nëse fillon ky proces.

Deklaratat e tij janë bërë në një intervistë për EURACTIV ku i pyetur midis të tjerash nëse Tirana dhe Athina janë pranë një zgjidhje përsa i përket delimitimit të ujerave detare midis tyre, ai ka thënë se ka gjetur në fillimet e detyrës së tij me Shqipërinë probleme 100 vjeçare si psh gjendja e luftës.

“Jemi të dy anëtarë të NATO-s, kemi bërë një pakt miqësie, por zyrtarisht ekziston një gjendje lufte. I kemi vënë të gjitha këto probleme në një paketë. Disa çështje të vogla i kemi zgjidhur, veçanërisht ato që lehtësojnë shqiptaret e punësuar ose emigrantët nga Shqipëria. Tani kemi çështjet e mëdha”, ka deklaruar ai.

Sipas Kotzias në Athinë, komisionet e përbashkëta të ekspertëve dhe teknokratëve për ZEE u takuan dhe pati progres. “Mendoj- ka shtuar ai -se do t’i zgjidhim këto probleme, mjafton të mos kapë histeria opozitën në të dy vendet”.

Kryediplomati grek ka shprehur keqardhjen për ato që thonë konservatoret në Greqi se çështja çame është në tryezën e bisedimeve, kur sipas tij kjo nuk ka ndodhur kurrë. Madje sipas një pohimi që ai ka bërë për herë të parë, çështja çame është diskutuar mes qeverive te dy vendeve vetëm në fillim të viteve 90. “Na akuzojnë madje se po dorëzojmë Vorio-Epirin. Nëse nuk e kanë kuptuar me traktatet ndërkombëtare dhe Aktin Final të Helsinkit, Vorio- Epiri është pjesë e Shqipërisë dhe ne nuk kemi aspak ndërmend të ndryshojmë kufijtë. Këto janë psikoza që janë të këqija në vend dhe nuk kanë të bëjnë aspak me politikën evropiane të dialogut dhe kompromisit “, ka thënë Kotzias.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat