Mogerini – Stoltenberg, nisni bisedimet me Maqedoninë

Maqedonia

Mogerini – Stoltenberg, nisni bisedimet me Maqedoninë

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 18:38
Mogerini – Stoltenberg

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogerini dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg presin që Maqedonia të shënojë përparim në rrugën euroatlantike gjatë samitit të Këshillit të BE-së dhe të NATO-s.

Mogherini, një ditë para takimit të rëndësishëm të ministrave të BE-së të cilët duhet të marrin parasysh një rekomandim për fillimin e negociatave me Maqedoninë, përsëri u kërkoi vendeve anëtare të shpërblejë progresin e Maqedonisë. Mogherini tha se përparimi i Ballkanit Perëndimor është mbresëlënës, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes së Maqedonisë me Greqinë, si dhe përparimin në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

FEDERIKA MOGERINI, PËRFAQËSUESE E LARTË E BE-SË

“Ju e dini se ne e rekomanduar negociatat me Shkupin dhe Tiranën. Ky proces duhet të bazohet në merita, që do të thotë se kur ka progres ai duhet të njihet dhe të inkurajohen palët. Shpresoj që shtetet anëtare do të marrin vendimin e duhur”.

Ndërkohë, Stoltenberg deklaroi se në samitin e NATO-s pret të arrihet pajtueshmëri që vendi të marrë ftesë për anëtarësim të plotë dhe të fillojnë negociatat qasëse. Megjithatë, ai precizoi se anëtarësimi në Aleancë varet nga epilogu i marrëveshjes me Greqinë.

JENS STOLTENBERG, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO-S
“Pres dhe shpresoj që krerët e shteteve dhe qeverive të dakordohen për fillimin e negociatave qasëse, pastaj mund ta ftojmë IRJM-në të bëhet anëtare e plotoë nëse marrëveshja finalizohet. Finalizim do të thotë ratifikim i plotë, referendum dhe votim pozitiv, nëse ndodh kjo jam optimist”.

Stoltenberg ka theksuar se nëse marrëveshja për emrin nuk kalon në referendum, është vështirë që vendi të marr ftesë për anëtarësim në NATO.

JENS STOLTENBERG, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO-S

“Nëse IRJM implementon dhe finalizon marrëveshjen me votim pozitiv atëherë NATO do ta ftoj vendin të bëhet anëtare e plotë. Kjo është marrëveshje historike e cila ofron mundësi historike që IRJM të anëtarësohet dhe i ftoj qytetarët e vendit të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të përkrahin marrëveshjen. Nëse nuk përkrahet marrëveshja nuk shoh si është e mundur që të ftohet vendi. Kjo është mundësia e vetme dhe duhet të shfrytëzohet”,

Ministrat e Jashtëm të BE-së nesër në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme duhet të debatojnë për zgjerimin dhe raportet e prillit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, Samiti i Këshillit të BE-së do të mbahet më 29 qershor, në të cilin Maqedonia dhe Shqipëria presin të marrin datë për fillim të negociatave. Ndërsa, ai i NATO-s mbahet më 11 dhe 12 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat