Denoncohet marrëveshja e fshehtë e BDI me Ivanovin kundër shqipes

Maqedonia

Denoncohet marrëveshja e fshehtë e BDI me Ivanovin kundër shqipes

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 19:03
Analisti Nijazi Muhamedi

Analisti Nijazi Muhamedi akuzon Bashkimin demokratik për intergrim se ka bërë marrëveshje të fshehtë me presidentin Gjorge Ivanov të bllokojë hyrjen në fuqi të ligjit për gjuhën shqipe derisa nuk zgjidhet çështja e emrit.

Muhamedi, në një intervistë për Almakos, pohon se qëllimi i kësaj marrëveshjes është forcimi i karakterit unitar të Maqedonisë si shtet etnik i maqedonasve, i cili ne Kombet e Bashkuara do të legjitimohet vetëm me kombin dhe gjuhën maqedone, ndërsa shqipja përfundimisht do mbetet gjuhë minatoritare.

“Këtu qëndron marrëveshja që është një dredhi bile e poshtër ndaj shqiptarëve, që derisa të mbarojnë bisedat për emrin në Maqedoni, ku gjuha maqedone do të definohet me territor dhe të konsolidohet me Maqedoninë si shtet etnik nacional maqedon, një gjuhë, një komb në tërë territorin të cilën e kemi humbë në Marrëveshjen e Ohërit”.

Ai thotë se me marrëveshjen e Ohërit shqiptarët humbëm të drejtën e përdorimit zyrtar të shqipes në komunikim ndërkombëtarë, e cila nuk do prishte shumë punë nëse shqipja zyrtarizohet në të gjitha funksionet e saj brenda, funksionin komunikativ, social, kulturor dhe identitarë.

"Ne duhet tash çështjen e emërtimit të shqipes, është çështje plotësuese e pakos së emrit patjetër. Se me atë, domethën ta mohon emërtimin e gjuhës, i mohon shqiptarët njësoj, sikur tjerët i mohojnë këto, ama ne të lejojmë, aty kur të quhemi gjoja si shtetformues, të mohoje identitetin tënd, ai kur ta mohon si figurë, ta mohon dhe në përdorimin në praktikë".

Sipas tij, nëse Ivanov pengon hyrjen në fuqi të ligjit për gjuhën shqipe, atëherë pse kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe BDI nuk bllokuan miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për mbrojtjen e gjuhës maqedone, i cili konfirmon se gjuha maqedone është e vetmja gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Muhamedi thotë se zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë dhe ndryshimet kushtetuese duhet të përdoren për të saktësuar edhe pozita e gjuhës shqipe në Kushtetutë, përndryshe shqiptarët me vetëdije do ta vulosin fatin e tyre si pakicë kombëtare në Maqedoni.

Në pyetjen se si i komentojnë këto akuza të analistit nga Tetova, kryeparlamentari Xhaferi tha se duhet t’i drejtohemi BDI-së, ndërsa të njëjtat ia drejtuam edhe deputetit Artan Grubi. Deputeti Grubi nuk u përgjigj, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve kur i kemi drejtuar pyetje rreth çështjeve të rëndësishme për shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat