Svilanoviq: Uroj Zaevin dhe Tsiprasin për guximin, arritën marrëveshje reale

Maqedonia

Svilanoviq: Uroj Zaevin dhe Tsiprasin për guximin, arritën marrëveshje reale

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 13:36
Goran Svilanoviq

“Me të vërtetë e çmoj guximin e kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras për marrëveshjen kyçe që e kanë arritur, jo vetëm për popujt e dy vendeve, por edhe për të gjithë ne në tërë rajonin”, deklaroi në Bruksel për AIM sekretari i përgjithshëm i Këshillit rajonal për bashkëpunim, Goran Svilanoviq.

“E di se të gjithë njerëzit nuk janë të kënaqur as në njërën as në palën tjetër, por unë vlerësoj se është arritur marrëveshje reale dhe unë pres që këtë ta përkrahin edhe qytetarët në referendum”, tha Svilanoviq.

Ai potencoi se kohë të gjatë në politikë ka ekzistuar bindje se në rajon nuk është e mundur të gjendet marrëveshje dhe zgjidhje, dhe se tani u tregua se disa njerëz janë në gjendje t’i zgjidhin problemet.

“Zaev dhe Tsipras kanë pasur guxim për këtë, ta sakrifikojnë karrierën e tyre politike për të mirën e njerëzve të cilët i përfaqësojnë dhe të merren vesh”, tha Svilanoviq, duke shtuar se kjo marrëveshje do të jetë nxitje dhe inkurajim edhe për Beogradin dhe Prishtinën.

Svilanoviq tha se në pikëpamje të Maqedonisë ka pritur vendim më të guximshëm të Këshillit Evropian, duke u porositur politikanëve të vazhdojnë ta udhëheqin vendin nëpër këtë rrugë. Ai vlerësoi se deri tani është bërë punë e mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat