Malta me mbështetje të parezervë për Maqedoninë për fillimin e negociatave me BE-në

Maqedonia

Malta me mbështetje të parezervë për Maqedoninë për fillimin e negociatave me BE-në

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 11:20
Foto

Në margjinat e Samitit të tretë të kryetarëve të parlamenteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që mbahet më 12 dhe 13 korrik në Varshavë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi realizoi takim bilateral me kryetarin e Shtëpisë përfaqësuese të Maltës, Anxhelo Faruxha.

Të dy kryetarët, siç njofton Zyra për informim e kabinetit të Xhaferit, shprehën kënaqësi për mundësinë ta realizojnë takim të parë bilateral dhe të këmbejnë mendime rreth fillimit të bashkëpunimit më të ngushtë parlamentar, sidomos në kohën kur Republika e Maqedonisë ka nevojë për përkrahje të fuqishme në rrugën kah aderimi në familjen evropiane.

Kryetari i Kuvendit, Xhaferi shprehu falënderim për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Maltës në fund të vitit 2016, për arsye se kjo paraqet një bazë të shkëlqyer për intensifikimin e bashkëpunimit të ardhshëm në të gjitha nivelet dhe në fushat me interes të përbashkët, sidomos në kontekst të integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë.

Nga ana e vet, kryetari i Shtëpisë përfaqësuese të Maltës, Faruxha, theksoi se edhe përskaj asaj që Malta është vendi anëtar më i vogël i Bashkimit Evropian, sërish i jep mbështetje të padyshimtë dhe të pa rezervë Republikës së Maqedonisë në procesin e fillimit të negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në familjen evropiane.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se pikërisht parlamentet janë strumbullari i procesit të integrimit evropian të vendeve dhe prandaj çdo këmbim i përvojave me vendet anëtare është i çmuar në këtë proces.

Kryetarët gjithashtu, thuhet në kumtesë, u pajtuan se duhet të shqyrtohet mundësia për shfrytëzimin e bursave që i ofron Qeveria e Maltës, ndër të tjerat, edhe bursat për nëpunës shtetërorë, si mundësi për këmbim në nivel të nëpunësve parlamentarë.

Xhaferi, mes tjerash drejtoi ftesë për kryetarin e Shtëpisë përfaqësuese të Maltës, në periudhë që do të jetë më e përshtatshme për të dyja palët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat