Maqedonia miraton unanimisht deklaratën për në NATO

Maqedonia

Maqedonia miraton unanimisht deklaratën për në NATO

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 16:49
Maqedoni

Kuvendi unanimisht miratoi deklaratën për mbështetje të procesit të anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike. Pushteti theksoi se anëtarësimi do të ndihmojë zhvillimin e vendit në më shumë sfera, veçanërisht në sferën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

“NATO-s i duhen partnerë të sigurt dhe të gjithë ne duhet të punojmë si partner i sigurt dhe të pranojmë edhe një pjesë të barrës për të zbatuar qëllimet e qarta të mbrojtjes dhe të zhvillojmë aftësi të reja mbrojtjeje duke përfshirë edhe modernizim dhe gjetjen e pajisjeve të reja për ushtrinë. Është i nevojshëm një buxhet i ri shumëvjeçarë për mbrojtjen, të cilin Qeveria dhe Kuvendi duhet dhe do ta sigurojnë?”, deklaroi Hari Llokvenec, deputet i LSDM-së .

Deklarata mori edhe mbështetjen e deputetëve të opozitës. Nga VMRO-DPMNE-ja theksuan se kanë qenë dhe janë “për” anëtarësim por jo sipas mënyrës të cilën e ka zgjedhur pushteti aktual.

“Anëtarësimi në NATO nënkupton sundim të së drejtës, anëtarësimi nënkupton gjykata të pavarura, anëtarësimi nënkupton sistem arsimor të zhvilluar, anëtarësimi në NATO nënkupton sistem shëndetësor të zhvilluar, prandaj kjo rrugë është e vështirë dhe e trazuar dhe ideja e anëtarësimit të plotë ka çmim të caktuar. Ne si VMRO-DPMNE zgjodhëm që rruga drejt NATO-s të jetë e vështirë dhe e trazuar por të jetë e dinjitetshme, për dallim prej disa aktorëve të tjerë politik”, Dragan Danev, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Deklarata disa faqëshe potencon nevojën për angazhim të anëtarëve të Kuvendit për zhvillim dhe përmbushje të kritereve për anëtarësim në NATO, realizimin e reformave, përgatitje të forcave të sigurisë, zhvillim të demokracisë, rritje të stabilitetit në rajon, etj. Ditë më parë, në Samitin e Brukselit, NATO ftoi vendin për të filluar bisedimet para anëtarësimit, me kushtin e vetëm, zbatimin e plotë të marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat