Asnjë përfundim pas takimit të liderëve politikë për referendumin për emrin

Maqedonia

Asnjë përfundim pas takimit të liderëve politikë për referendumin për emrin

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 10:07
Foto nga takimi

Edhe pse me ndonjë përparim të vogël, as takimi i djeshëm i liderëve të partive politike nuk dha një zgjidhje për tejkalimin e dallimeve mes opozitës dhe pozitës lidhur me zhbllokimin e krizës politike për emërimin e përbërjes së re të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSH), i cili do të duhet të organizojë referendumin për marrëveshjen me Greqinë.

Pas takimit, që zgjati për rreth katër orë, kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se bisedimet kanë qenë kryesisht të përqëndruara tek çështjet që kanë të bëjnë me referendumin, më saktësisht formimin e KSHZ-së, ndërkohë që paralajmëroi një takim tjetër të dielën në mbrëmje ose të hënën.

“Ka çështje për të cilat mund të merremi vesh. Jemi të vetëdijshëm se ky proces i ka ditët e numëruara nga fakti se dëshirojmë të zbatojmë referendumin në kohë, pas çka do të mund të bëjmë ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që në fillim të vitit të ardhshëm të marrrim një konfirmim nga Greqia”, deklaroi Zaev me bindje se takimi i radhës do të jetë frytëdhënës.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski, nga ana e tij theksoi se temat e trajtuara në takim nuk janë të reja, ndërkohë që njoftoi se për disa çështje kanë afruar qëndrimet.

“Nëse synojmë parimet europiane, do të duhet të sillemi në mënyrë të tillë dhe jo vetëm deklarativisht, pasi duhet të respektojmë kushtetutën dhe ligjet”, tha Mickovski.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha se të gjitha partitë politike janë të interesuara për gjetjen e një kompromisi që duhet të zgjidhë dallimet që ekzistojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat