Kuvendi me 100 vota “për” zgjodhi anëtarët e KSHZ-së

Maqedonia

Kuvendi me 100 vota “për” zgjodhi anëtarët e KSHZ-së

Më: 25 korrik 2018 Në ora: 23:34
Kuvendi i Maqedonise

Kuvendi me më shumë se 2/3 e votave zgjodhi anëtarët e ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Oliver Derkovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së do të jetë kryetar i KSHZ-së, ndërsa anëtare nga po e njëjta parti do të jetë Elizabeta Postolovska. Postin e nënkryetares do ta mbaj Ditmire Shehu nga BDI. LSDM-ja në KSHZ do të përfaqësohet nga Borçe Kondarko, Janakie Vitanovski dhe Radica Ristevski ndërsa Besa e Kasamit nga Enver Salihi. Deputetët votuan edhe nevojën për ndryshime në Ligjin mbi Qeverinë, Ligjin mbi Financimin e Partive Politike dhe Kodin Zgjedhor.

Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, KSHZ-ja kthehet në modelin e vjetër, me kryetar nga opozita dhe pa ekspert në përbërje. Me ndryshimet në Ligjin mbi Qeverinë, para çdo cikli zgjedhor do të formohet Qeveri teknike ku kryeministri do të largohet dhe në vend të tij të vij tjetër kryeministër teknik nga po e njëjta parti politike, ndërsa opozita do të ketë ministra dhe zëvendësministra me të drejtë vetoje. Qeveria teknike do të funksionojë mbi parimin e marrëveshjes së Përzhinos. Me ndryshimet në Ligjin mbi Financimin e Partive Politike rregullohet financimi i subjekteve ndërsa përgjegjësia penale nuk do të ndikojë në subjekte politike por ekskluzivisht ndaj anëtarit ose zyrtarit.

Zgjedhja e anëtarëve të KSHZ-së vjen pas bllokadës disa mujore në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime me të cilin udhëheq opozita, e cila përbërjen e KSHZ-së e kishte kushtëzuar me ligjet e lartpërmendura. Në mungesë të konsensusit me opozitën, Qeveria propozoi ndryshime në Kodin Zgjedhor me të cilat synonte që zgjedhja e anëtarëve të KSHZ-së, nga 2/3 të bëhet me shumicë të thjeshtë. Ndonëse ndryshimet kishin kaluar filtrat parlamentare dhe propozimet ishin vendosur në rend dite, takimi i liderëve solli moment të ri. Pas kthimit të KSHZ-së në funksionalitet, Kuvendi do të shpall referendum për marrëveshjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat