Zaev: Përfaqësimi i shqiptarëve nuk është përmbushur

Maqedonia

Zaev: Përfaqësimi i shqiptarëve nuk është përmbushur

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 16:58
Zoran Zaev

Në 17-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, ende shumë punë mbetet për t’u bërë për përfaqësimin e denjë dhe të barabartë të shqiptarëve.

Zëvendëskryeministri për çështje Evropiane Bujar Osmani thotë se implementimi i kësaj marrëveshjeje paqësore tanimë ka marrë një dimension tjetër.

Sipas tij shqiptarët nuk duhet të shihen vetëm si punësime dhe numra nëpër institucionet vendore por se ngritja e tyre në poste udhëheqëse tani paraqet sfidën dhe zbatimin e anës tjetër të kësaj marrëveshje.

Ai shtoi se pjesa legjislative e zbatimit të MO-së është kompletuar me miratimin e Ligjit të Gjuhëve ndërkaq hyrja në fuqi e këtij ligji është dimension tjetër.

Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev pranoi se përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet publike të vendit nuk është i duhuri, por se do të punohet për përmirësimin e gjendjes.

“Deri më tash nga ajo që e dimë se gjithsej 19% është përfaqësimi i shqiptarëve është në institucionet publike që do të thotë është më e vogël nga numri total. Ne do të vazhdojmë të punojmë më tej por edhe me bashkësitë tjera etnike përqindja e përfaqësimit nuk është e duhura nëpër institucionet publike. Në seancën e fundit të Qeverisë referonte Drejtoria për të ardhura publike për institucionet përqindjet. Në secilën seancë të Qeverisë do të ketë nga një institucion me qëllim që të mobilizojmë nga aspekti i përfaqësimit të barabartë që të gjithë qytetarët të jenë pjesëmarrës në punët e shtetit edhe atë duke ndërtuar një shoqëri për të gjithë, para së gjithash që të gjithë qytetarët vendin e tyre ta ndjejnë në të vërtetë si të tyre, si në aspektin e të drejtave po ashtu dhe përgjegjësive”, tha Zaev.

Kreu i opozitares VMRO-DPMNE Mickoski e shfrytëzoi shënimin e kësaj dite për të thënë se Qeveria e ka më se të nevojshme të zbatojë reforma në ekonomi, arsim dhe shëndetësi.

Ndryshe, në ceremoninë e shënimit të 17-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte prezent Hazbi Lika zv/ kryeministër për zbatimin e MO-së i cili është personi më kompetent për të treguar mbi implementimin dhe sfidat me të cilat përballet kjo marrëveshje.

I pyetur nga gazetarët për mungesën e Likës, zv/kryeministri Osmani tha se Lika në mungesë të prezencës së tij fizike, iu është drejtuar të pranishmëve përmes një letre përshëndetëse në nder të shënimit të kësaj date.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat