Ushtarët amerikanë stërviten në Maqedoni

Maqedonia

Ushtarët amerikanë stërviten në Maqedoni

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 06:15
Autoritetet maqedonase thonë se po u ofrojnë aleatëve të Natos kushte për trajnime të forcave tokësore dhe ajrore.

Pjesëtarë të ushtrisë amerikane po marrin pjesë në një stërvitje në poligonin ushtarak Krivollak në Maqedoninë qendrore. Ata janë anëtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë dhe nga baza të tjera në Evropë.

Autoritetet maqedonase thonë se po u ofrojnë aleatëve të Natos kushte për trajnime të forcave tokësore dhe ajrore.

Ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska tha se anëtarësimi i Maqedonisë në Nato paraqet një mundësi për një rajon të sigurt dhe paqe për qytetarët. Ajo tha se Maqedonia ka vuajtur mjaft nga konfliktet dhe se anëtarësimi në Nato do t’i jepte fund këtyre problemeve.

“Angazhohemi që i gjithë Ballkani të jetë një rajon i qëndrueshëm dhe para së gjithash angazhohemi që vendi ynë dhe qytetarët tanë të jenë të sigurt”, tha Sheqerinska duke iu përgjiigjur pyetjeve në lidhje me sfidat e mundshme në rajon në kohën që po zhvillohen debate për ndryshim ose korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton zeriamerikes.

Ministrja maqedonase pret që qytetarët e Maqedonisë t’i japin mbështetje të fortë anëtarësimit në NATO dhe në BE në referendumin e pritshëm në fund të shtatorit.

Edhe zëvendës-ambasadorja amerikane në Maqedoni, Micaela Schweitzer-Bluhm thekson se qëndrueshmëria dhe siguria prodhojnë mirëqenie dhe se mekanizmi i NATO-s më së miri e siguron qëndrueshmërinë.

“Mirëqenia e garanton zhvillimin. Vlerësoj se Maqedonia do të jetë anëtare e ardhshme e NATO-s dhe për këtë e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha zonja Schweitzer-Bluhm.

“Partneriteti midis Maqedonisë dhe Natos do të jetë edhe më i fortë atëherë kur Maqedonia të bëhet anëtare e Natos. Shtetet e Bashkura dëshirojnë të shohin Maqedoninë të plotësojë kushtet për anëtarësim në Aleancë dhe ne inkurajojmë qytetarët e Maqedonisë që të bëhen pjesë e këtij procesi”, theksoi ajo.

Sipas autoriteteve në Shkup, ekonomia lokale ka përfituar 4-5 milionë dollarë vetëm nga shpenzimet dhe prania e forcave të shtuara ushtarake të vendeve të NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat