Dimitrov në Senatin Amerikan: Roli i SHBA-ve është kyç për Maqedoninë

Maqedonia

Dimitrov në Senatin Amerikan: Roli i SHBA-ve është kyç për Maqedoninë

Më: 21 gusht 2018 Në ora: 22:32
Nikolla Dimitrov

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në kuadër të vizitës së punës në SHBA realizoi takime në Senatin amerikan si edhe me më shumë ekspertë, profesorë dhe hulumtues të sektorit joqeveritar në Uashington.

Siç njoftojnë nga MPJ, në takimet me kryetarin e Komitetit për marrëdhënie me jashtë në Senatin e SHBA-së, senatorin Bob Corker dhe me kryesuesin e Nënkomitetit për bashkëpunim evropian dhe rajonal të sigurisë të Komitetit për marrëdhënie me jashtë në Senat, senatori Ron Jonhson, u riafirmua rëndësia e partneritetit midis Maqedonisë dhe SHBA-së dhe rëndësia e mbështetjes së mëtejme të SHBA-së në të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.

“Ministri Dimitrov shprehu falënderim për mbështetjen e deritanishme të senatorëve amerikanë dhe e theksoi pritshmërinë për rolin e mëtejmë kyç të SHBA-së, ndërsa veçanërisht të Senatit amerikan, drejt anëtarësimit të pritur të Maqedonisë në NATO. Senatorët e përshëndetën guximin dhe vendosmërinë e Maqedonisë në zgjidhjen e kontestit rreth emrit dhe theksuan se Washingtoni me kënaqësi e priti Marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë. Theksuan se Maqedonia është pika më e ndritshme në Ballkan, e cila e ka mbështetjen e plotë dypartiake në rrugën drejt NATO-s në Senat dhe SHBA-ja do të vazhdojë edhe më tej me tempon e njëjtë të punojë në plotësimin e së ardhmes euro-atlantike të shtetit”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Në takimet e veçanta me përfaqësuesit e Fondacionit “Heritage”, Shkollën për studime të avancuara ndërkombëtare në kuadër të universitetit “John Hopkins” dhe të Fondit gjerman Marshall të SHBA-së, u bisedua për aktualitetet në procesin e anëtarësimit të së Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe arritjet kyçe në planin e jashtëm politik, me theks të veçantë në Marrëveshjen me Greqinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat