George Bush letër qytetarëve të Maqedonisë: Pres me padurim ditën kur do të bëheni pjesë e NATO-s

Maqedonia

George Bush letër qytetarëve të Maqedonisë: Pres me padurim ditën kur do të bëheni pjesë e NATO-s

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 08:35
George Bush

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush, përmes një letre ka ftuar qytetarët e Maqedonisë që në referendumin e 30 shtatorit të përkrahin marrëveshjen me Greqinë.

Bush në letër thotë se marrëveshja me Greqinë do ta vendos Maqedoninë në rrugën drejt hyrjes në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ish-presidenti i SHBA-ve thotë se me padurim pret ditën kur SHBA-të do t’i dëshirojnë mirëseardhje Maqedonisë së Veriut si anëtarja e 30-të në NATO, njofton Telegrafi Maqedoni.

Më poshtë e keni të plotë letrën e George W. Bush për qytetarët e Maqedonisë:

Për qytetarët e Maqedonisë:

Që nga dita e pavarsisë së shtetit tuaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë miku juaj i palëkundur. Populli amerikan ka admiruar ngritjen tuaj të qetë nga hiri i Jugosllavisë. Kemi respektuar guximin tuaj për të mbështetur vlerat demokratike dhe institucionet e lira. Dhe, kemi mbështetur aspiratat tuaja për të arritur prosperitet dhe siguri në një Evropë të tërësishme, të lirë, dhe në paqe.

Kisha nderin që si president i Shteteve të Bashkuara të qëndroj pranë presidentit Trajkovski në vitin 2001 derisa largoi Maqedoninë nga pragu i luftës civile drejt një shoqërie të definuar nga mirëkuptimi ndëretnik dhe sundimi i ligjit. Dhe, isha krenar kur Shtetet e Bashkuara njohën Republikën e Maqedonisë me emrin kushtetues në vitin 2004.

Gjatë samitit të Bukureshtit në vitin 2008, u thash kolegëve liderë në NATO se Maqedonia ishte e përgaditur dhe e denjë t’i bashkangjitet aleancës tonë të madhe. Megjithëse isha i zhgënjyer që Maqedonia nuk hyri në NATO gjatë kohës sime si kryetar, gjithmonë kam qenë i bindur se ajo ditë do të vijë.

Tani, në një kohë aq me shpresë në jetën e shtetit tuaj, kujtoj sfidat e shumta me të cilat jeni ballafaquar, dhe i keni tejkaluar. Poashtu e kujtoj edhe mikun tim të ndjerë Boris Trajkovskin. Presidenti Trajkovski ishte njeri me karakter të fortë, me synime të palëkundshme – dhe, mbi të gjitha, njeri me besim. Ai besonte në Zot, besonte në vendin dhe në popullin e vet, dhe besonte në aftësinë e liderëve të vendit për të marr vendime të urta. Marrëveshja e Prespës, që tani është para jush dhe pret ratifikim, është kompromis i guximshëm dhe i drejtë. Ajo do ta vendos Maqedoninë në rrugën drejt hyrjes në Unionin Evropian dhe në NATO, dhe në rrugën drejt arritjes së ardhmërisë së ndritshme që kishte parashikuar presidenti Trajkovski.

Nxis çdo qytetar të Maqedonisë të merr pjesë në këtë vendim historik dhe të votoni në referendumin tuaj shtetëror në fund të këtij muaji. Pas një dekade pengesash, ju keni fuqinë të shkruani një histori të re dhe më shpresëdhënëse për ju, për fëmijët tuaj, fqinjët dhe vendin tuaj. Aleanca më e madhe për liri në historinë e njerëzimit po ruan një vend për tokën që ju e doni, dhe unë me padurim pres ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës me krenari do t’i dëshirojnë mirëseardhje Republikës së Maqedonisë së Veriut si aleati ynë më i ri, anëtari i 30-të i NATO-s.

Me respekt,

George W. Bush

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat