Soni Malaj: Më në fund fati më buzëqeshi edhe mua!

Mediale Vip

Soni Malaj: Më në fund fati më buzëqeshi edhe mua!

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 12:52
Soni Malaj

Nëse ata kanë Beyonce-n, ne kemi Sonin. Është padyshim artistja paketë që industria e muzikës sot kërkon. Soni Malaj, një nga këngëtaret më prodhuese, ndër vite ka ditur të sjellë veç hite. Përveç zërit të bukur, Soni ka dhe aftësinë për të bërë për vete publikun edhe përmes kërcimit. Kjo u dëshmua së fundmi edhe në prezantimin te “Kënga magjike” me këngën “Për vete më mbaj”. Në këtë rrëfim për mediat shqiptare, Soni tregon se si lindi kjo këngë. Artistja nuk i ka shpëtuar as kuriozitetit tonë, besoj edhe tuajit, për marrëdhënien me vajzën e saj Ana dhe për lidhjen e re që Sonit i ka sjellë në sy shkëlqimin e lumturisë.

Soni, riktheheni pas shtatë vitesh për herë të shtatë në “Këngën magjike”.  

Po është e vërtetë. Unë kam tre vite që përgatitem për “Këngën magjike”. Në fakt, pjesëmarrja ime këtu duhej të bëhej që para tre viteve me këngën që unë kam fituar në “Top Fest”. Ishte menduar të bëhej një rikthim i grupit “Spirit Voice”. Në atë periudhë kam qenë në Itali dhe ishte e pamundur që unë të kthehesha për të realizuar këngën. Gjërat erdhën në atë mënyrë dhe kënga nuk u realizua me grupin.

Nuk jam i keq kur them më mirë që ndodhi kështu. Kënga “Me të jeton” duket si kostum i prerë vetëm për Sonin.

Kompozitorja e këngës Susie Ahern më tha: “Nuk di si do ta ndash këtë këngë në tre pjesë sepse unë e kam ndërtuar për ty!”. Më pas kur u realizua, ajo ishte shumë e lumtur. Unë vazhdova të punoja sërish, këtë herë më DJ Aldon. Kishim gati tre materiale dhe donim të merrnim pjesë me një këngë reggae por nuk ishim shumë të bindur. Të nesërmen Aldo më tha që kishte një tjetër material që është i duhuri për “Këngën magjike”. Shkova te Gent Myftaraj, një koleg dhe mik i imi tek i cili kam besim sepse është artist, e merr materialin dhe di si ta qëndisë. Eneda Tarifa përveç tekstit ka qenë gjatë gjithë realizimit të këngës pranë meje. Është bërë një punë e madhe pasi kënga duhet të kishte një tekst artistik, të ishte i kapshëm, letrar dhe pa fjalë urbane.

Si ka qenë reagimi i njerëzve pas prezantimit të këngës?

Është hera e parë që unë kam pasur një impakt kaq të menjëhershëm, njëqind përqind pozitiv. Ndoshta sepse njerëzit mendonin se unë do kthehesha sërish me baladë. Por unë doja të sillja diçka pozitive ashtu siç unë ndihem.

Keni menduar se si do të jetë performanca në “Pallatin e Kongreseve”?

Koreografja Almenda Hoxha dhe stilisti Joni Peçi po kurojnë performancën finale. Unë jam duke sugjeruar që lëvizjet mos të përfshijnë pjesën e barkut që ndikon në diafragmë, të jenë më tepër të përqëndruar në krahë, supe dhe këmbë më së shumti. Të jetë performancë dinamike por që të mos kem firo në këndim.

Lëmë pak muzikën mënjanë. Soni, si është të jesh nënë e një vajze?

Kam pasur shumë fat më Anën që është shumë e zgjuar dhe shumë e edukuar. Është një fëmijë i mbarë, që kupton. Madje bën edhe ironi ndonjëherë (qesh). Më dëgjon kur unë i them: “Jo, kjo gjë është gabim”. Ka karakter të fortë.

Duket se Ana nuk është ajo brunia mesdhetare si e ëma. Kujt i ka ngjarë Ana me flokë të çelur dhe me sy të shkruar?

I ngjan mamit tim. Por në fakt te Ana unë shoh veten time kur kam qenë e vogël, që nga mënyra se si këndon. Mundohem të mos e kritikoj kur këndon sepse kam frikë se stepet dhe nuk këndon më. Dua që t’i dalë pak ndrojtja edhe pse më pëlqen që është e rezervuar. Është më sportive se unë. Mua më ka ngjarë te dëshira për të kënduar e kërcyer. Kombinohet vetë në të veshur dhe përcakton se çfarë është fashion dhe jo.

Ju kritikon Ana për look-un në përditshmëri apo kur keni daljet skenike?

Ana mundohet të më inkurajojë. Më thotë: “Më pëlqeu shumë. Jam krenare për ty. Sa e bukur që je bërë sot.” Më përpara më thoshte të mos këndoja sepse pëlqente të ishte vetë në qendër të vëmendjes, por tani e ka kuptuar punën time.

Na e përshkruani pak gjendjen shpirtërore. Si shkon dashuria?

Unë nuk jam tipi që i mbaj shumë të fshehta gjërat deri në momentin që nuk i konsideroj krim. Për mua turp është të vjedhësh dhe të bësh gjëra të këqija. Në momentin që njeriu dashuron me pastërti dhe seriozisht, është një gjë e bukur pavarësisht rrjedhës që merr. Ka shumë paragjykime sidomos kundrejt femrave në art. Këto kanë ndikuar ndoshta edhe që marrëdhëniet e mia të mëparshme të mos ishin të suksesshme. Por kjo nuk më ka bërë të ndaloj dhe të mos besoj në dashuri. Madje kam dhe një varg të këngës “të dua, s’do ndal”, sepse për mua të duash është shumë bukur. Unë kam arritur të realizoj ëndrrën time. Ëndrra ime gjithmonë ka qenë një dashuri e pastër, me shumë respekt, që të më mbështesë dhe të kem një familje timen shumë të mirë. Në profesionin tonë kjo është vërtet një ëndërr.

Ndërkohë përveçse në jetë, jeni partnerë edhe në biznes apo jo?

Po, është e vërtet. Bashkëshortin apo shokun e jetës e dua të jetë bashkëpunues. Kështu e konceptoj unë një lidhje, të jemi të përfshirë njëqind përqind në jetën e njëri-tjetrit. Kështu e kam dashur dhe kështu erdhi.

Ju shoh sytë që shkëlqejnë Soni…

Jam e lumtur (buzëqesh). E kam thënë disa herë dhe shpresoj që publiku ta mirëkuptojë. Nuk më pëlqen kur paragjykohem ose kur shumë meshkuj në rrjete sociale bëjnë komente që nuk i kanë hije meshkujve. Nuk dua të më gjykojnë nga jashtë. Do doja shumë që ata të respektojnë lumturinë time.

I referoheni disa herë paragjykimeve. Për çfarë jeni ndjerë e paragjykuar?

Të përfundosh një lidhje, nuk është zgjedhje që një njeri do donte të bënte. Unë jam rritur me përrallën e Hirushes që gjen princin dhe ata jetojnë të lumtur përgjithmonë. Më në fund fati më buzëqeshi edhe mua!

Si reagon partneri ndaj jetës publike që keni ju?

Ai është shumë sportiv, edhe më sportiv se sa unë. Ai më thotë se kjo është puna jote, në fund të fundit kështu më ka njohur. Nuk e lë që të më ndikojë në personalitet, në marrëdhëniet e mia me njerëzit. Megjithatë, përderisa unë jam e lumtur, ai i ka pranuar të gjitha.

I rikthehemi edhe një herë muzikës. Nëse flasim për plane më afatgjata, çfarë do të ketë në vijim?

I kam mbaruar dy materiale muzikore. Njëri do të jetë bashkëpunim me një djalë të ri, një talent shumë i veçantë. Unë gjithmonë kam qenë përkrahëse e talenteve të rinj. Më vjen natyrshëm t’u jap një dorë në tregun muzikor shqiptar. Ajo çfarë po pres me shumë dëshirë është balada nga Susie Ahern për 14 shkurtin. Dua që të jetë një baladë e gëzueshme që kur të martohen të dashuruarit të gëzojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat