Ermal Meta para ‘Sanremos’, ‘love story’ me Emma Marrone

Mediale Vip

Ermal Meta para ‘Sanremos’, ‘love story’ me Emma Marrone

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 23:26
Ermal Meta (djathtas) dhe Emma Marrone

Shqiptari Ermal Meta, dashuria e re e Emma Marrone? Ishte ky lajmi që u përhap si virus në mediat italiane pak para se këngëtari shqiptar të konkurronte në Festivalin e Sanremos, me këngën e tij pretendente për të fituar, “Vietato Morire” (E ndaluar të vdesësh). Edhe pse Ermali e përgënjeshtroi lajmin në profilin e tij në Facebook, duke u shprehur se këngëtaren 33-vjeçare nga Firence e konsideron si motër, kjo deklaratë nuk e ka bindur median italiane.

Gazetarët kanë vazhduar me shkrime që hedhin dyshime se përtej bashkëpunimeve dhe miqësisë së tij speciale me Marronnen, fshihet një “love story”, e cila ka ndikuar jashtë mase te kantautori për realizimin e një kënge të mrekullueshme, kësaj here në kategorinë “Big” të “Sanremos”. Gazetarët italianë janë nisur nga fakti që Meta dhe Marrone kanë bashkëpunuar shumë herë bashkë, ndërkohë që ai ka shkruar për të “Occhi profondi”. Sipas tyre, pasioni për muzikën dhe stili i veçantë që kanë secili në lëvrimin e muzikës pop e rock, i ka bërë që të bien në dashuri pa e kuptuar me njëri-tjetrin.

Ky lajm rozë, edhe pse e mërziti Metën para garës, nga ana tjetër e ndihmoi të merrte vëmendjen e ëndërruar nga shumë artistë para një gare. Të gjithë sytë i kanë nga ai, për të kuptuar se ndërsa ai shpalos origjinalitetin e tij duke kënduar në skenën e “Sanremos”, e analizojnë për të kuptuar se çfarë e ka tërhequr artisten e pëlqyer Marrone te ky djalë nga Shqipëria.

Edhe pse Meta e ka konsideruar një lajm të rremë, asnjë përgjigje nuk ka nga Emma, e cila prej kohësh është komentuar si single dhe e lumtur, pas thashethemeve për Stefano De Martino, apo flirtit me Tommaso Paradiso, liderin e “The giornalisti”.

META FITON ÇMIMIN “COVER 2017”, PRETENDENT PËR TË FITUAR “SANREMON” ME KËNGËN KU RRËFEN DHUNËN NË FAMILJE

Ndërkohë kantautori shqiptar, Ermal Meta, ka fituar çmimin “Cover 2017” në natën e tretë të Festivalit të Muzikës Italiane “Sanremo 2017”. Në natën e 3-të të Festivalit “Sanremo”, këngëtarët që garojnë në kategorinë “Kampioni” kanë performuar me këngët më të suksesshme ndër vite të muzikës italiane. Ndër ta, Meta konkurrues në festival, zgjodhi këngën e Domenico Modugno, “Amara terra mia”, kënduar në vitin 1971. Në një intervistë pas koncertit, ai tregoi se u ndie i emocionuar, kur mori një telefonatë nga gruaja e këngëtarit të famshëm, Modugno.

“E zgjodha këtë këngë, pasi jo vetëm është e mrekullueshme, por dhe sepse, sipas meje, prezanton në mënyrë perfekte gjendjen aktuale së Italisë sot”, u shpreh pas koncertit Meta. Në mbrëmjen “Cover” të “Sanremos”, u renditën në vend të dytë këngëtarja Paola Turci, e në vend të tretë këngëtari Marco Masini. 20 këngëtarët e gjysmëfinales të mbetur në garë do të gjykohen nga televotimi i publikut, nga votimi i jurisë së ekspertëve e nga juria e opinionit. Prej tyre, vetëm 16 këngëtarë do të vazhdojnë garën për në natën finale të “Sanremos 2017”.

Që në hapje të festivalit, kantautori shqiptar konsiderohej si një nga fituesit e mundshëm me këngën e tij “Vietato morire” (E ndaluar të vdesësh), që trajton temën e dhunës në familje. Përveçse për këngët që shkruan dhe interpreton vetë, ai është shumë i vlerësuar vitet e fundit si kompozitor, pasi krijimet e tij po blihen nga produksionet kinematografike për kolona zanore. Vitin e kaluar ai konkurroi në seksionin e të rinjve në “Sanremo”, me këngën “Odio le favole” (I urrej përrallat).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat