Megi Ndokaj “Ndjehem e bekuar”

Mediale Vip

Megi Ndokaj “Ndjehem e bekuar”

Nga: Beqir Sina Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 15:50
Megi Ndokaj

Në një intervistë dhënë Revistës “Runway Albania” më 14 Shtator 2014, Ndokaj përshkruhet :“E bukur, e zgjuar dhe me këmbë në tokë”. 
“Runway Albania” ka thënë se kjo është Megi Ndokaj, vajza e cila na bën shoqëri të djelave përmes ekranit dhe që spikat midis bukurosheve të tjera për mënyrën se si është. 

Ajo ka nisur që e vogël karrierën e saj lidhur me televizionin dhe modën por ndoshta askush nuk di projektet e megit dhe si arriti deri këtu. 
Runway Albania e intervistoi atë për të zbuluar diçka më shumë.

Si nis një ditë e zakonshme për Megin?

Një ditë e imja “tip” nis rreth orës 7.30 për t’u bërë gati për në universitetin e arteve. Gjatë orëve të pushimit ulem për kafe me miqtë e mi. Ndodh që mund të kem ndonjë angazhim në TV Klan. Më pas në shtëpi studioj ose lexoj ndonjë libër, ndërsa pasditen ia rezervoj gjithmonë stërvitjes.

Cilat janë impenjimet e Megit momentalisht?

Momentalisht jam e përqëndruar tek shkolla. Krahas shkollës jam e impenjuar në programin më të ndjekur në Shqipëri “E diela Shqiptare” në Televizionin Klan, që nga shtatori 2013.

Talenti, pamja e jashtme, zotësia… Virtyte të cilat kujt ia atribuon Megi?

Mendoj se talentin e kam të trashëguar nga nëna ime, e cila është artiste dhe njëkohësisht pedagoge në këtë fushë. Unë jam rritur me botën e artit që në moshë shumë të vogël. Pamjen e jashtme dhe zotësinë ua atribuoj padyshim të dy prindërve të mi. Mënyra se si më kanë edukuar, më kanë rritur dhe më kanë bërë kjo që unë jam sot.

Megi një vajzë e vogël, më pas një adoleshente dhe tani një e rritur… Cilat janë ndryshimet që ke pësuar në kohë?

Kam kaluar një fëmijëri shumë të lumtur. Kam qenë një vajzë e përkushtuar në mësime, por e angazhuar në disa kurse argëtuese dhe kulturore njëkohësisht, në piano, pikturë dhe dance. Adoleshenca ime ka qenë e qetë pa ato shpërthimet e mosës që herë pas here e karakterizojnë, mbase ngaqë edhe unë kam qenë shumë kërkuese në punën time të përditshme pasi isha mësuar që e vogël që gjithmonë ta kisha kohën të programuar. Kjo më bëri që edhe adoleshenca të kalonte me punë dhe suksese në fushën time. Kurset vazhduan me dëshirën time deri në moshën 18 vjeçare. Më ndodhte shpesh që këto shpërthimet t’i shfaqja nëpërmjet kërcimit, ashtu siç shpesh herë shkarkoja energjitë e mia tek ngjyrat e forta që hidhja mbi telajo. Tashmë nuk mund ti them vetes e rritur plotësisht, por jam më e pjekur dhe mjaft e qartë për ato që dua dhe për synimet e mia…

Cilat janë mënyrat që kujdeseni për të mbajtur një linjë të mirë trupore?

Ka qenë një fat që të dy prindërit kanë fizik të bukur, gjithashtu edhe falë metabolizmit tim. Përpiqem të ushqehem shëndetshëm, por një sekret i vogël i formës sime fizike është edhe qënia aktive që në vogëli në kërcim.

A teprohet ndonjëherë me kujdesin ndaj imazhit dhe si reagon Megi ndaj një rasti të tillë?

Kujdesi për imazhin është shumë i rëndësishëm sepse tregon respekt për veten dhe për njerëzit që na rrethojnë, por asnjëherë i tepruar në dëm të natyralitetit.

Në cilën moshë moda dhe televizioni u kthye në profesion për ju dhe si ndodhi kjo?

Dashuria për modelingun ndodhi rastësisht. Ishte viti 2007 kur unë sëbashku me familjen ndodheshim në SH.B.A, në një nga dyqanet e Victoria’s Secret ku një agjent i një agjencie mode, më bëri një ofertë për të qenë pjesë e agjencisë ku punonte. Kjo ishte shkëndija e parë, që më bëri mua të merrem me modeling. Puna ime e parë ka qenë në moshën 15 vjeçare, kam realizuar një photoshooting për revistën “Ti Sposi” në nëntor 2009. Më pas vijuan punë të tjera profesionale, ndër të cilat mund të përmend editorialin me foto nga Black Swan, për revistën “Jeta” në prill 2011. Editorialin e modës Blue Velvet për revistën “Anabel” në dhjetor 2012. Editorial për revistën “Harmony” në qershor 2013. Kam qenë pjesë e kopertinës në revistën “Elegance” sëbashku me stilisten e njohur At Nikolla, në muajin nëntor 2013. Jam përzgjedhur përsëri për të qenë në kopertinën e revistës “Aurela Style” në shtator 2013 dhe në prill 2014 , gjithashtu dhe editorialet brenda. Një nga eksperiencat mbresëlënëse ka qenë pjesëmarrja ime në FashionTv, e realizuar në Prishtinë, në gusht të 2013. Përsa i përket botës së televizionit, jam shfaqur që në moshën 10 vjeçare me kërcim dhe perfomanca artistike. Jam përzgjedhur për të qenë pjesë e filmit “Fluturim pasioni”, duke qenë se ndihem e sigurt mbi skenë, më vjen mirë që mu besua mua ndarja e çmimeve të artistëve për dy vjet rradhazi tek “Kënga Magjike” 2012/2013 në Pallatin e Kongreseve. Tashme unë jam pjesë e programit më të ndjekur në Shqipëri ” E diela Shqiptare”, në Televizionin Klan, që nga shtatori 2013. Televizioni për mua është një dashuri që të pushton ngadalë si me magji.

A është dashur ndonjëherë të bëhesh pjesë e një kompromisi në fillimet e karrierës tënde?

Karriera më ka nisur shumë natyrshëm që në moshë shumë të vogël dhe duke qenë pjesë e një familjeje artistësh ajo nisi në formën më të natyrshme duke u rritur vit pas viti u bë diçka serioze, kështu që nuk më është dashur kurrë të bëhem pjesë e një kompromisi.
Megi sigurisht që ka një jetë private…

Sa është debitore ndaj saj?

Unë di ta menaxhoj shumë mirë kohën, ti kushtoj kohë familjes, shoqërisë, argëtimeve të moshës dhe ndërkohë i kushtoj kohën e duhur edhe projekteve të mia artistike. Jam edukuar që e vogël që ti jap rëndësinë e duhur gjithçkaje.

Kush është 24 orë me Megin?
Përveç Zotit?! 

Jam e shoqëruar 24 orë dhe e ndjej pjesë timen dashurinë e madhe dhe përkujdesjen e familjes time. Ndjehem e bekuar.
A trembet Megi nga fjala “përjetësisht”? Nëse po na thoni një definicion që mund ta zëvëndësojë dhe ta zbusë këtë premtim.
Ndoshta do ta zëvëndësoja me fjalën “vazhdimisht” sepse jeta është një sfidë e vazhdueshme, prandaj do ushqyer çdo ditë me përkujdesje, dashuri, përkushtim dhe vetëvlerësim.

Çdo të thotë për një modele t'i pëkushtohet vetes? Kur dhe si ndodh kjo?

Modelingu ka kritere të ashpra, por vetëm 10% janë meritë e tipareve të lindura, pjesa tjetër është shumë punë, vullnet seriozitet dhe kryesorja karakter i fortë.

Si e shikon Megi veten pas 10 vitesh?

Pas 10 vitesh e shoh veten të realizuar profesionalisht, të formuar artistikisht, me një eksperiencë të gjallë gjithashtu mbi skenë, në botën e spektaklit, televizionit. Nuk do harroja kurrësesi që do ta shihja veten edhe lumturisht të realizuar në jetën time private…!

Miqësia mes llojit, në këtë rast mes bukuroshesh, funksionon apo ambicia i vret ato?

Xhelozia është gjithmonë mes vajzave… Unë jam e rrethuar nga mikesha të bukura, mendoj se deri tani mes nesh është një miqësi e pastër.

Qëndrimi i Megit për modën në Shqipëri?
Nuk mund të krahasohemi me vendet jashtë pasi industria e modës nuk është shumë e zhvilluar këtu tek ne. Por për fat të mirë unë kam bashkëpunuar me stilistë me një emër të konsoliduar dhe të pëlqyer, ku krijimet e tyre janë unike dhe marrin vlerën e një vepre arti.

Jeta sentimentale e Megit në tre fjalë?
Privatësi. Privatësi. Privatësi.

Raporti i Megit me familjen?
Raporti im me familjen është i shkëlqyer. Të dy prindërit i konsideroj si shokë dhe iu jam mirënjohëse për mbështetjen dhe forcën që më japin për të ecur me sukses në rrugën e bukur, por të vështirë të artit.

Megi dhe dashuria? Ekziston dikush në jetën e Megit apo akoma ka shpresë për meshkujt shqiptarë?
Megi dhe dashuria janë çdo moment bashkë, gjithçka e bëj dhe e pres me dashuri. Sa për shpresën…a nuk thonë se është e fundit që vdes?!

A beson në Zot?

Po besoj në Zot! Besimi është shumë i rëndësishëm në jetën e njeriut, e bën të jetë më i mirë për veten dhe njerëzit që e rrethojnë.

Cilat janë planet për të ardhmen e Megit?
Planet janë të shumta dhe po mundohem të koordinoj punën dhe kohën për të realizuar gjithçka. Vetëm se, unë jam pak supersticioze. Preferoj t’i realizoj pastaj t’jua shpalos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat