Arbana Osmani i “zhyt” kurbën Ermal Mamaqit, duke u “hakmarrë” për të shkuarën

Mediale Vip

Arbana Osmani i “zhyt” kurbën Ermal Mamaqit, duke u “hakmarrë” për të shkuarën

Më: 26 mars 2017 Në ora: 09:05
Arbana Osmani, Ermal Mamaqi

Tani nuk përbën më lajm, konkurrenca mes ekraneve është shumë e fortë dhe lufta për kurbën e audiencës është kthyer si një luftë për jetë a vdekje. Dikur ishe i sigurtë që ke bërë një program të mirë kur ta lavdëronin shokët, kolegët apo dashamirësit, por asnjëherë nuk e dije me siguri se si ishe ti në krahasim me të tjerët.

Në përgjithësi, çdokush është i prirur që të pëlqejë gjënë që bën vetë dhe nëse rrije me drejtues apo producentë të ndryshëm emisionesh, dëgjoje të njëjtën frazë: “Programi im është më i miri!”.

Tashmë që ka kompani të cilat masin audiencën, lufta për kurbën nuk fillon dhe mbaron në një tavolinë kafeneje, ku ti mundohesh t’i mbushësh mendjen tjetrit se ke bërë gjënë më të mirë të ekranit. Tani puna nuk mbaron me realizimin e një formati të mirë televiziv, madje puna e vërtetë fillon pikërisht aty: tani që e bëra, si do ta shes? Një nga shitësit më të mirë të ekranit të sotëm, i lidhur fort me rrjetet sociale, është Ermal Mamaqi.

Djali i talentuar ka vite që i servir publikut ekranin e argëtimit, të të qeshura, të gjërave të lehta për t’u kënaqur, pa e vrarë shumë mendjen dhe që s’të fut në mendime. Dhe ia ka dalë! Njerëzit e kanë pëlqyer dhe e kanë ndjekur. Tashmë që është në ekranin e tv Klan, Ermali ka mundësi të ketë një matje të audiencës dhe duhet thënë se në një ekran me ndjekje konstante për gjatë gjithë ditës, me një kurbë që rri gjithnjë lart, falë një programacioni shumë zbavitës, Ermali duket se u pozicionua mirë, duke i dhënë shpesh një dorë që kurba të ngjitet akoma.

Dhe këtë fakt ai e ka bërë edhe pjesë të dialogjeve në ekran, për t’i thënë publikut se unë jam kampioni. Pak javë më parë, teksa kishte ftuar në emision një tjetër artist të humorit, Julian Dedën, ata realizuan një dialog që nuk ofronte humor në ato momente.

Biseda në fillim dukej nostalgjike, teksa ata rrëfenin se ishin të dy produkte të “Top Channel”, por për ta e rëndë- sishme ishte që Ermali të thoshte në fund shprehjen: “Unë vij nga Topi, por sot unë e konkurroj atë, programi që unë bëj, e konkuron atë që është në të njëjtin orar me mua”. Kujtojmë që në atë kohë, të shtunave ishte programi “Dua të të bëj të lumtur” me një subjekt tejet social, por që nuk arriti të bëhej një “kërcënim” për audiencën e Ermalit. Ndërsa të shtunën e kaluar, kjo situatë u përmbys. “Big Brother” filloi ediconin e tij të 9-të dhe audienca u spostua nga humori i Ermalit, te një format që gjithashtu është argëtues dhe ngjall shumë kuriozitet.

Sipas shifrave të matjes së audiencës, “Big Brother” ka kapur share mesatare 52%, ndërkohë që programi “Xing me Ermalin” 16.5%”. Duket sikur vetë Ermali e ka nuhatur këtë ikje masive të audiencës për tek ekrani tjetër dhe atë të shtunë, të ftuarit e tij ishin disi si më periferikë, në krahasim me përzgjedhjet që bën zakonisht. Fati e deshi që Ermali të jetë edhe një herë tjetër në konkurrencë me Arbana Osmanin.

Mbase nuk e kishte parashikuar, sepse në edicionet e fundit, “Big Brother” jepej të premteve, por ja që ndodhi. Në njëfarë mënyre, Arbana i kthen reston Ermalit, i cili e tha publikisht, me një mungesë sjelljeje elegante mes kolegësh, se ai ia ka marrë audiencën programit të saj. Sipas asaj që duket deri tani nga loja e konkurrentëve të “Big Brother”, kurioziteti për atë format nuk do të mbetet vetëm në natën e parë që prezantohen pjesmarrësit, por edhe në ato në vazhdim.

Ndjehet gjithashtu dora e autores italiane të programit, Alessia Greco Vesichio, e cila ka një eksperiencë të mëparshme shumë të gjatë në të njëjtin format, në televizionin italian, të quajtur “Grande Fratello”. Beteja e kurbës vazhdon dhe ne u urojmë suksese të dyja programeve./Panorama/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat