Stanaj, dëshmia e gjallë që rrjetet sociale të bëjnë një yll ndërkombëtar

Mediale Vip

Stanaj, dëshmia e gjallë që rrjetet sociale të bëjnë një yll ndërkombëtar

Më: 22 maj 2017 Në ora: 23:17
Albert Stanaj

Çdo ditë e më shumë, rrjetet sociale si Facebook, SnapChat, Instagram, Twitter etj., po kthehen në një pjesë të pazëvendësueshme e jetës sonë dhe shpesh në katalizatorë të suksesit tonë personal.

Shumë e thjeshtë: nëse i përdor ato siç duhet mund të kthehesh, pse jo, në një yll ndërkombëtar!

Pikërisht kjo ka ndodhur me talentin shqiptar, Albert Stanaj, i cili është kthyer në një nga emrat e rinj më të komentuar për momentin. Performanca e tij në finalen e “The Voice of Albania 6” tregoi edhe një herë se ai është i destinuar të kthehet në një nga zërat më të mirë në botë dhe kjo nuk lë asnjë vend për dyshim.

Por si ka nisur e gjithë karriera e Stanaj? Nga rrjetet sociale!

Në një intervistë për tabloidin e njohur “Complex”, Albert, përveçse ka treguar të gjithë historinë e jetës së tij, ka rrëfyer se si rrjetet sociale bënë që të ngjitet në piedestal.

“Një natë isha me vëllain tim në Zen Lounge, në Los Angeles, dhe Brandon Jennings ishte aty. Ai më dëgjoi teksa këndoja dhe hodhi një video timen në Instagram. E për pak javë një tjetër e postoi në Instagram-in e tij e më pas një person  tjetër e kështu me radhë derisa e pashë veten të ulur në piano, te shtëpia e Drake”, – tregon Stanaj.

Ai më pas rrëfen si arriti te Kim Kardashian: “Pak javë më vonë, make up artist-i i Kim Kardashian, Mario, e postoi në Instagram e pas pak ditësh e gjeta veten në Twitter-in e Kim-it”.

“Pas kësaj, vëllai im më merr në telefon e më thotë: ‘Ku je? Ku je? Chris Brown po vjen te shtëpia jonë. Duhet të vish!’. Më pas shkojmë te shtëpia e Chris dhe fillojmë të këndojmë të dy. Atë ditë që ai postoi videon time në Instagram mora më shumë se 70 mijë ndjekës të rinj në rrjetet sociale. Dhe kjo e gjitha ndodhi para se unë të bëja një këngë timen”, – përfundon këngëtari i ri.

Kjo ngjan pak a shumë me ato histori që kalojnë si thashetheme, nga njëri te tjetri, por që përfundojnë duke i sjellë fat dikujt. Aq sa vetë Justin Bieber shfaq interes për të shkuar e për ta dëgjuar teksa performon.

Sikur të mos mjaftonte kjo, 23-vjeçarit i vjen mundësia të takojë edhe idhullin e tij të fëmijërisë: Justin Timberlake.

“Justin vjen në backstage te emisioni i Jimmy Fallon, ku unë këndoja dhe më afrohet. Aty marr frymë thellë dhe i përkulem. Ndërkohë që ai më vjen pranë dhe më thotë: “Jo, jo, unë jam fansi yt më i madh”. Në atë moment nuk e di si jam ndierë! Të dëgjosh një gjë të tillë nga idhulli yt është një ëndërr e bërë realitet”, – shprehet Albert.

Rrjetet sociale mund të kenë 1001 anë negative, ama një gjë është e sigurt: ato mund t’ju kthejnë ndër personat më të njohur në planet!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat