Përfundon nata e parë e “Kënga Magjike 2017”: Gjithçka që ndodhi nga skena dhe prapakuintat e festivalit

Mediale Vip

Përfundon nata e parë e “Kënga Magjike 2017”: Gjithçka që ndodhi nga skena dhe prapakuintat e festivalit

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 06:18
Disa fotografi nga prapaskenat e festivalit.

Është mbajtur nata e parë e festivalit “Kënga Magjike 2017”.

Nën drejtimin e producentit, Ardit Gjebrea, si dhe dy prezantueseve bukuroshe të televizionit Klan: Arjola Shehu dhe Nevina Shtylla, u përmbyll me sukses edhe kjo natë e cila solli në skenën e Pallatit të Kongreseve plot 25 artistë.

Erion Isai dhe Bes Kallaku, ofruan shumë pika humoristike për të pranishmit, gjersa nuk nguruan të aktrojnë edhe disa prej roleve të tyre më të suksesshme, duke dhuruar plot batuta për telespektatorët.

Bes Kallaku dhe Erion Isai krijuan shumë skena humoristike për të pranishmit, duke aktruar role të ndryshme

Nata e parë filloi me performancën e artistit nga Peja, Lind islami, i cili së bashku me kitarën e tij interpretoi para publikut këngën “Problem”, me të cilën konkurron këtë vit në festival.

Xhesika Polo, ishte njëra ndër artet e para e cila u ngjit në skenë, gjersa bëri një interpretim korrekt të këngës së saj garuese, “Jetën më fal”.

Nata e parë u shënua edhe me muzikë hip-hop, teksa për këtë pjesë u kujdesën reperët Stresi, Anxhelo Koçi dhe Flor Bana, me këngën “Sa her e don”.

Ata arritën të bëjnë për vete publikun, duke interpretuar live këngën e tyre, e cila është tashmë një hit.

Në një prononcim të shkurtër për Telegrafin, Stresi ishte shprehur: “Provat kanë shkuar mirë, gjithçka deri më tani ka ecur si duhet, dhe besoj se do argëtojmë publikun. Pritshmëritë janë të mëdha”.

Një performancë të bukur dhe të veçantë solli edhe këngëtarja Rovena Stefa, e cila interpretoi në mënyre korrekte këngën e saj “Veç një jetë’:

Rovena për Telegrafin para nisjes së natës së parë ishte shprehur: “Jam shumë e kënaqur me trupën e baletit, të cilët janë ekstremisht artistikë, dhe përputhen në mënyrë organike me gjithë idenë e këngës. Më vjen mirë që me refrenin që thotë “Veç një jetë”, jepet një mesazh dashurie e paqeje edhe përmes ngjyrës së bardhë”.

Radhën më pas për t’u prezantuar e pati këngëtarja Çiljeta, e cila këndoi këngën e saj “Hajmali”, ndërsa rrëmbeu vëmendjen e publiku me paraqitjen e saj të veçantë, dhe performancën e realizuar bukur me anë të efekteve të ndriçimit.

All in Band , Gaçi, Arieta Palushaj, Armenda Gashi, Toli, Serxho, Majlinda Cikaqi, Genti Deda ft Dj Rob, Andrea De Pascalis, janë artistët e rinj që performuan këtë mbrëmje, gjersa vetëm dy prej tyre që do rezultojnë më të votuarit, do ta kenë mundësinë ta prekin finalen e madhe

Këngëtari Gjergj Leka u ngjit gjithashtu në skenën e Pallatit të Kongreseve. Ai interpretoi para publikut baladën e tij emocionuese “Ndryshojmë”.

Gjergj Leka gjatë interpretimit të këngës së tij “Ndryshojmë”, nata e parë – Kënga Magjike 2017

I ulur në piano nën errësirën e skenës, Leka bëri për vete gjithë publikun në sallë.

Në një natë mes këngësh dhe pikave humoristike, nuk munguan as dhuratat. Arditi në bashkëpunim me sponsorët e festivalit dhuruan disa dhurata për të pranishmit në sallë.

Përfituesit e dhuratave u zgjodhën në mënyrë rastësore nga efektete e ndriçimit në sallë.

Mentor Haziri, ishte këngëtari i radhës, i cili u ngjit në skenën e “Këngës Magjike”, teksa interpretoi këngën e tij “Plagë në zemër”.

Mund të thuhet lirshëm, se këngëtari nga Kosova, ishte në formën e tij më të mirë këtë natë, dhe bëri një nga interpretimet më korrekte, duke mos stonuar në as edhe një notë të vetme, po duke bërë një ekzekutim korrekt të baladës së tij emocionuese.

Në skenë u ngjit edhe këngëtari Stine, i cili gjithashtu dhuroi një performancë të ngrohtë para publikut, teksa interpretoi këngën e tij “Ma more zemrën.

Ai u shoqërua edhe nga trupa e baletit në skenë, gjë që bëri publikun edhe më shumë të argëtohet gjatë peformancës së tij.

Fifi erdhi sërish me shumë “Zhurmë” para publikut shqiptar.

Ajo interpretoi këngën e saj ‘live’, e cila tashmë është shndërruar në hit, gjersa është përcjell me një performancë të bukur me plot statistë, të cilat në duart e tyre mbanin nga një elektrikë ndriçuesi për t’i dhënë një tjetër veçanti performancës së saj.

Fifi gjatë interpretimit të këngës “Zhurmë” në natën e parë të festivalit “Kënga Magjike 2017”

Mbrëmja përfundoi me interpretimin “e çmendur” të Anxhela Peristerit, e që në fakt kështu titullohet edhe kënga e saj.

Veshur me një fustan elegant dhe përcjellur nga shumë balerinë në skenë, Anxhela përfundoi si më së miri performancën e saj duke rrëmbyer duartrokitje të shumta nga të pranishmit në sallë.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat