Bambadjan Bamba, aktor Hollivudi dhe emigrant pa dokumenta

Mediale Vip

Bambadjan Bamba, aktor Hollivudi dhe emigrant pa dokumenta

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 10:08
Bambadjan Bamba

Një aktor Hollivudi nga Afrika Perëndimore deklaroi së fundmi se është emigrant pa dokumenta dhe përfitues i DACA-s, programi i administratës së ish-presidentit Barack Obama që parandalon deportimin e të rinjve, që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara si fëmijë. Ky program mendohej të kishte një efekt të përkohshëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee sjell historinë e aktorit Bambadjan Bamba:

“Pantera e zezë” nuk është thjesht filmi i fundit për superheronj, bazuar në një libër me ilustrime. Është realizimi i një ëndrre ... për Bambadjan Bamban.

“Ky jam unë, në rolin e një udhëheqësi ushtarak”.

“Prej vitesh doja të isha pjesë e këtij filmi”.

Përveç vështirësive për t’ia dalë në Hollivud, Bamba ka jetuar në ankth për diçka që e ka mbajtur sekret deri tani.

"Unë jam imigrant me ngjyrë dhe pa dokumenta. Kam humbur shumë shanse sepse disa herë marr skenare dhe oferta nga jashtë vendit dhe nuk shkoj dot. Disa herë filmat xhirohen në Kanada dhe unë as nuk shkoj dot për prova”.

I lindur në Bregun e Fildishtë, aktori është përfitues i DACA-s, programi që lejon qëndrimin në Amerikës të personave pa dokumenta që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara si fëmijë. Kjo e lejon atë të punojë ligjërisht brenda vendit …sepse ai dhe prindërit e tij erdhën në Shtetet e Bashkuara kur ai ishte 10 vjeç dhe në Bregun e Fildishtë kishte trazira.

“Vendi ishte i ndarë për një kohë të gjatë. Kishte luftë civile. Mijëra vetë humbën jetën”.

Megjithëse mund të punojë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, ai ka parë se pjesa më e madhe e Hollivudit, nuk e njeh DACA-n.

“ Më pyesin: Çfarë është DACA? Unë u tregoj se çfarë është. Më pyesin: a ke kartë të gjelbër? Ku e ke pasaportën? Dhe unë u them se nuk i kam. Kam vetëm dokumenta që më lejojnë të punoj ligjërisht në Shtetet e Bashkuara”.

Vendimi për ta bërë publik statusin e tij shoqërohet me rreziqe profesionale, por Bamba thotë se mund të jetë më keq po të mos flasë.

“Vendosa ta rrëfeja hapur historinë time, kur administrata vendosi se donte ta anulonte DACA-n. E kuptova që nuk kishte alternative tjetër për mua: ose të luftoja hapur, ose të jetoja me frikë”.

Në shtator, Presidenti Trump tha se do t’i jepte fund programit dhe I bëri thirrje Kongresit që të jepte një zgjidhje. Kjo, pas një premtimi që bëri në shkurt…

“Zoti President, i bëtë një premtim ëndërrimtarëve. Na thatë që do të gjenit një zgjidhje për ne. Prandaj duam t’ju vëmë para përgjegjësisë”, thote aktori.

Një peticion i kërkon Hollivudit që t’i mbështesë imigrantët pa dikumenta si Bamba.

“Mendoj se Hollivudi duhet të bëjë më shumë falë ndikimit që kemi në media për ta ndryshuar debatin publik".

Bamba thotë se nuk ishte filmi “Pantera e Zezë” arsyeja që ai bëri publik statusin e tij, por shton se është një plus nëse filmi ndihmon për ndërgjegjësimin për histori si e tija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat