DJ suedez dhe muzikanti i rrymës “house”, Avicii vdiq në moshën 28 vjeçare, deklaroi sot një i afërm, duke konfirmuar raportimet nga media.
“Është me një dhimbje të thellë që njoftojmë humbjen e Tim Bergling. Ai u gjet i vdekur në Muskat, Oman të premten në mesnatë me orën lokale, 20 prill”, thuhet në një deklaratë.
Artisti ishte i njohur për hite si “Levels”, “Sunshine” dhe “Wake Me Up”.
Ndonëse Avicii u tërhoq nga performanca nëpër turne apo drejtpërsëdrejti në vitin 2016, ai vazhdoi të regjistronte muzikë dhe punonte si producent.
Përfaqësuesja Ebba Lindqvist, u shpreh se “familja e artistit ishte e shkatërruar dhe kërkonte privatësi gjatë këtyre ditëve të vështira”.
Ende nuk është dhënë asnjë arsye për vdekjen.
Lindur në Stokholm më 8 shtator 1989, Bergling filloi të luante si DJ që kur ishte adoleshent. Muzika e tij e parë u publikua në vitin 2007 ndjekur nga shumë të tjera.
Ai u bë i famshëm në nivel ndërkombëtar në vitin 2011 me “Levels”, që u bë një hit botëror. /ATSH-DPA