Anxhela Peristeri rrëfen rracizmin: Më hapi mendjen, i bëra të flasin për punën time

Mediale Vip

Anxhela Peristeri rrëfen rracizmin: Më hapi mendjen, i bëra të flasin për punën time

Më: 26 maj 2018 Në ora: 10:05
Anxhela Peristeri

Anxhela Peristeri rrëfen në një intervistë të gjatë dhe të sinqertë për gazetarin Ervin Kurti dimensionet e saj si artiste. I këndon çdo gjenerate, por në këtë kopertinë vjen krah fëmijëve, krah atyre tek të cilët beson se një ditë do t’i zhdukin paragjykimet. Ajo është mësuar ta shohë gjithnjë botën me ngjyra, edhe atëherë kur i vetmi variant i mbetur ka qenë e zeza, ndaj edhe në këtë rrëfim për revistawho Anxhela ndan me lexuesin përjetimet e saj të vërteta.

Anxhela, kopertinat janë një pasqyrë e asaj çka artisti bart në brendi, ti përse këtë herë nuk u “zhveshe”, por dole mes fëmijëve të ndryshëm?

Nuk para më pëlqen zhveshja e tepërt dhe nuk është se e kam përdorur këtë metodë në kopertinat dhe fotot që kam publikuar. Fakti që këtë herë parapëlqeva të mos fokusohem në një kopertinë seksi bazohet në një faktor shumë shqetësues për mua dhe shoqërinë: Rracizmin. Do të doja të zhdukej si fenomen. Është kaq i shëmtuar!

Në fëmijërinë tënde, buka me sheqer, loja me peta apo fustanet me arna, çfarë ndjesie të jepnin? Ke nostalgji për të?

Unë parapëlqeja bukë me vaj e me kripë (qesh). Kam shumë nostalgji për fëmijërinë time. Jemi me fat që e kemi jetuar në mënyrë të tillë pavarësisht kushteve të vështira ekonomike. Do preferoja lojën me peta në vend të i-pad-it.

A ke qenë ti një fëmijë model për prindërit e tu aq sa të konsideroheshe reference që nuk gaboje asnjëherë?

Jo. Kam qenë e kundërta. Më pëlqente rreziku, eksperimentimet e ndryshme dhe shpesh bëhesha shembull i keq në mëhallë. Duke u rritur u bëra shembull në qytetin tim, sepse rezultoi që prirjet e mia për art u vlerësuan më në fund dhe plakat që bërtisnin nga dritaret se i shqetësoja me zërin tim dhe violinën time nga mëngjesi në darkë e kuptuan gabimin (qesh).

Korça është djepi i një kulture që pakkush i reziston për t`u bërë pjesë. A ka qenë ajo më e mira për ty?

Sigurisht, fakti që kam lindur dhe jam rritur në një qytet me kaq shumë vlera ka ndikuar shumë në formimin tim. Falenderoj familjen time për mbështetjen maksimale. E dua shumë Korçën, është e bukur dhe fisnike.

Greqia vendi ku rracizmi ngre krye sa herë që preket dinjiteti kombëtar, të hapi mendjen apo të kompleksoi më shumë?

Sigurisht që më hapi mendjen. Atje e ndjeva për herë të parë rracizmin dhe më shoqëroi për një kohë të gjatë. Megjithatë puna dhe talenti im i bënin njerëzit të mos merreshin shumë me këtë pjesë pavarësisht se u privova nga shumë gjëra për shkak të origjinës sime që theksoj se nuk e fsheha asnjëherë. Megjithatë nuk janë të gjithë njësoj. Kam shumë miq të mirë në Greqi, miq që me vite të tëra po më tregojnë se nuk ka asnjë vlerë nacionaliteti yt, ngjyra apo shtresa shoqërore. Rëndësi ka njeriu që je.

Heqja dorë për një karrierë të suksesshme si shqiptare në shtetin helen, të trishtoi?

Jo, aspak. Kur u largova isha 20 vjeç dhe nisa çdo gjë nga e para. Ishte një luftë e re për mua që më bëri shumë mirë dhe më mësoi shumë gjëra. Do e përjetoja sërish nga e para nëse do ktheja kohën prapa. Ishte një eksperiencë frytdhënëse në karrierën time dhe në formimin tim.

Më ke dhënë përshtypjen e një vajze që nuk vihesh kollaj me shpatulla pas murit prej paragjykimeve! Thellë-thellë je shumë e ndjeshme, hmmm, mos është e kundërta?

Jam shumë e ndjeshme kur bëhet fjalë për njerëzit që unë dua. Megjithatë kurrë nuk vihem me shpatulla pas murit. E njoh veten time, kam një botë të thellë shpirtërore si artiste që më bën t’i përjetoj gjërat 10-fish më shumë, por ama më bën dhe 10-fish më të fortë njëkohësisht.

Baladat e tua të dashurisë janë të forta, të ndjera që marrin rrokopujën deri në çmenduri. Është një dashuri e sëmurë nga xhelozia, apo ende e parealizuar siç duhet?

Mendoj që baladat e dashurisë duhet të jenë të tilla. Duhet të tregojnë realitetin, dashuria nuk është fushë me lule për asnjërin, është pashmangshmërisht e lidhur me vuajtjen.

A është turp t’i lutesh atij (sipas motivit të këngës tënde “Prapë do t’i lutem”) për dashurinë?

Asnjëherë nuk është turp për asgjë kur bëhet fjalë për dashuri. Ndoshta mendjet e vogla dhe të paafta për të dashuruar mund ta quajnë turp lutjen. Unë quaj turp egoizmim, nuk do ta pranoja kurrë. Mendoj se shkatërron gjithçka!

Në një botë ku çdokush rend pas parasë dhe komercialitetit, ti ende ëndërron. Mos je pak “out” (jashtë orbite)?

Kur ëndërron, të ndjek ëndrra jote dhe pa ëndrra nuk ke ç’i do as paratë as luksin. Mund të vraposh pas parasë dhe në fund të jetës të jesh bosh, por po vrapove pas ëndrrave, do jesh plot dhe paraja ndoshta do vijë vetë tek ty.

Të jesh vetja në një realitet ku shumica nuk të dëgjojnë në mënyrë aktive, të lodh?

Më lodh shtirja më shumë.

Miqtë janë të shtrenjtë sa kohë ata janë pranë teje kur ti ke nevojë për ta. Ti je ndjerë e tradhtuar ndonjëherë prej tyre?

Shumë herë, por koha tregon realisht se cilët janë miq të vërtetë dhe mua më ka dhuruar disa shumë të vërtetë.

Në filmat romantikë apo psikologjikë (e dimë që je e fiksuar pas tyre), me kë identifikohesh, cili është identikiti i personazhit pas të cilit ti dashurohesh?

Më pëlqejne jashtëzakonisht thrillerat psikologjikë. Nuk do të doja të isha protagonistja e asnjërit prej tyre në jetë, por një rol do e pranoja me kënaqësi.

A bie shpesh në kurthin e dehjes së dashurisë së publikut dhe të bëhesh arrogante? Si e menaxhon këtë pjesë?

Në disa raste vërtet kam qenë e ngarkuar nga kjo pjesë, sepse ndodh që të mos kem kaluar një ditë shumë të mirë dhe fluksi i punës të më ketë rënduar shumë në darkë. E menaxhoj me buzëqeshje. Në punën time nuk i intereson njeriu se si ndihem unë. Unë duhet t’u jap atë për të cilën ata kanë ardhur. Është ligj i pashkruar për mua!

Lindja apo muzgu të pëlqen më shumë? Çfarë mendon në secilën prej tyre?

Muzgu sepse është më romantik. Lindja është e ëmbël dhe shpresëdhënëse, por muzgu është fisnik, i ngrohtë dhe frymëzues.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat