Olta Gixhari, drejt Oscar-it me filmin “Pharmakon”

Mediale Vip

Olta Gixhari, drejt Oscar-it me filmin “Pharmakon”

Më: 7 tetor 2012 Në ora: 17:52

“Oscar” është vërtet një ëndërr, që Olta Gixhari mund ta prekë. Tashmë posteri me portretin e saj gjendet në çdo sajt të Akademisë së çmimeve “Oscar”, që pritet të shpallë kandidatët fitues për kategorinë e filmit të huaj më 10 janar 2013. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më datë 24 shkurt të vitit që vjen, ku për Shqipërinë kandidon “Pharmakon”, filmi artistik me metrazh të gjatë i Joni Shanajt. Olta Gixhari, aktorja protagoniste në film, rrëfen emocionet e saj. Në këtë intervistë për “Panorama Plus” flet për tabutë skenike, dashurinë, martesën, dhe gjithçka që zbërthen karakterin e saj të vërtetë në jetë.
Filmi i Joni Shanajt “Pharmakon”, po flitet se është drejt rrugës për të kandiduar në çmimet “Oscar”. Çfarë pritet dhe sa e mundur të duket prekja e kësaj ëndrre për ty si aktore protagoniste?
Kjo po që është një ëndërr, ndaj i uroj fat “PHARMAKON”! E në fakt të gjithë ne duhet të ndihemi mirë, që për herë të parë një film shqiptar është drejt rrugës për të kandiduar në finalen e çmimeve “Oscar”, për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”. Deri tani filmi ka kaluar shumë kualifikime e sektorë të rëndësishëm. Dhe deri këtu për mua është një ëndërr, të mendosh që posteri i filmit është në çdo sajt, që ka të bëjë me çmimet “Oscar” dhe filmin e kanë parë shumë njerëz të rëndësishëm përtej kufijve shqiptarë, e që përflitet për kompeticionin më të rëndësishëm që bëhet në botë.
Në këtë film u komentove për skeanat erotike me Klevis Begën. Ke tabu në profesionin e aktores, mund të luash çdo lloj roli që ngjall komente në publik apo dhe paragjykime?
Unë mund të luaj çdo rol që më ngjit, më përshtatet dhe që më pëlqen, por pa kaluar kufijtë e mi. Roli i Sarës te “Pharmakon” nuk kishte asgjë të ekzagjeruar dhe që të më nxirrte keq. Erotizmi është një koncept shumë i gjerë, që nuk ka fare lidhje si fjalë me skenat e filmit, qe janë tërësisht normale dhe është mjet që e justifikon qëllimin.
Të paktë janë aktorët në Shqipëri që me jetën e tyre mund të krijojnë scoop mediatik. Ty ka ndodhur të jesh në qendër të vëmendjes disa herë. Të bën krenare ky fakt, apo ndonjëherë të shtyn të tërhiqesh nga skena?
Unë të tërhiqem nga skena?! Kjo nuk mendoj se do të më ndodhë ndonjëherë, pasi në të qenët aktore është e pashmangshme të jesh qendër të vëmendjes. Ndihem krenare për punën që bëj, pasi është bukur të jesh mbresëlënës.
Ke pasur fatin të luash me aktorë të njohur, Robert Ndrenikën, Timo Fllokon etj. Cili është aktori që vërtet ëndërron të kesh një rol me të në të ardhmen, shqiptar dhe të huaj?
Tani ëndrra në Shqipëri më është bërë realitet, vetëm se ende nuk jam ngopur, pasi dua të luaj me të, por që nuk do të ishte e drejte t’ia përmend emrin. Kurse për aktorët jashtë, kam disa alternativa. Për shembull për mua është Oliver Martinez shumë seksi (qesh).
Ke pohuar dhe vetë që ke pasur fatin të dominosh krahasuar me brezin e aktorëve të rinj. Të ka bërë të pasur ky profesion?
Të paktën më ka dhënë pasuri shpirtërore, të bën të ndihesh unike, e paprekshme dhe e dobishme. Ndoshta janë edhe këto arsyet që një artist i vërtetë nuk heq dorë nga ky profesion, edhe pse nuk e bën të pasur.
Ç’mund të zbulosh në këtë sezon të ri artistik ndonjë rol në teatër apo kinema?
Në këtë periudhë do të vazhdojmë me “Doktor Shuster”, ndërsa për projekte të tjera kam plane, por ende të konkretizuara si në film, ashtu dhe në teatër. Shpresoj shumë që kjo krizë ekonomike të mos i fundosë krejtësisht projektet artistike.
“Dashurinë e vërtetë? Po, e kam provuar dhe dashuroj gjithmonë”
Nga dalja jote në skenë qëkur ishe 20 vjeç, çfarë ka ndryshuar në botëkuptimin tënd si një vajzë?
Kanë ndryshuar 6 vite, që nuk janë pak. Në këtë moshë ndryshimi i këtyre viteve është i madh dhe lë shenja rritjeje natyrisht. Nuk do të doja të isha dhe një herë 20 vjeç tani, ndoshta pas disa vitesh do ta kërkoj si ëndërr (qesh).
Cila është oferta më e çuditshme që ke marrë në këto vite si aktore?
Nuk më vjen në mend asnjë ofertë e kësaj natyre.
Po si femër nga ndonjë mashkull që të ka shprehur dashurinë?
Dashuria është gjithmonë e bukur në çfarëdolloj forme që të shprehet. Këtë pyetje e lidh menjëherë me një libër që po lexoj momentalisht me titull ”Letra dashurie të burrave të mëdhenj”, ku në letër e N. Bonaparte, shkruar të dashurës së tij të zemrës Josephine, nis kështu: Unë zgjohem i mbushur me mendime për ju. Portreti juaj më ka trazuar gjithë qenien time, e pakrahasueshmja, e ëmbla Josephine…” Nejse flitet për vitin 1795, por këto fjalë mbi letra mbeten të paharrueshme, edhe për dikë jo kaq ëndërrimtar sa unë.
Përshtypja që lë ti është e vajzës kapricioze. Po e ndjeshme je, qan shpesh dhe pse?
Po, jam pak kapricioze. Në të vërtetë mendoj se jam perfeksioniste e lodhshme, mërzitem shumë kur gjërat nuk më shkojnë ashtu si i kam menduar. Bëhem e ndjeshme shpeshherë dhe pa arsye të fortë në dukje, por nuk qaj më, thuajse asnjëherë. Madje, kam filluar të mendoj se loti më mallkon, që nuk e lë të dalë.
Nëse do bëhej fjalë për dashurinë, e ke provuar atë ndjenjën e vërtetë, apo je në kërkim?
Po, e kam provuar dhe dashuroj gjithmonë.
Ndërkohë të pëlqen të jesh femër e lirë, apo je aq tradicionale, sa të ëndërrosh një familje të vetme në jetë?
Unë nuk ëndërroj, por unë besoj në dashurinë dhe familjen e përjetshme, dhe dua të jem tradicionalisht e lirë në familjen time.
Bashkëshorti yt duhet të jetë patjetër një artist?
Bashkëshorti im, do Zoti të mos jetë artist (qesh)!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat