Elia Zaharia: Ja çfarë e pengon martesën tonë - Bota Sot
Elia Zaharia: Ja çfarë e pengon martesën tonë

Mediale Vip

E diel, 31 korrik 2016

Elia Zaharia: Ja çfarë e pengon martesën tonë

Më: 14 tetor 2012 Në ora: 17:27

E lidhur shpirtërisht me artin, ajo s’mund t’i devijojë në asnjë rast, sado pragmatist qoftë, siç ndodh edhe në intervista mediatike. Elia Zaharia është e fejuara e princit Leka dhe rikthehet në skenë si aktore dhe këngëtare në ribashkimin e “Spirit Voice” pas 11 vitesh. Ne teatër luan komedi, ku mesazhi që jep është shumë metropolitan, ndërsa thuhet “Harroje dashurinë”. Ndërsa në realitet për Elian dashuria është e para në listën e principeve që ajo ka në jetë. Në këtë intervistë tregon për jetën e saj në Oborrin Mbretëror dhe arsyen pse ka lënë për një moment tjetër ceremoninë e dasmës.
Elia, rikthehesh me projekte paralele, që janë ribashkimi i “Spirit Voice” dhe komedia “Harroje dashurinë”. Si do i përshkruaje ato vite larg karrierës artistike në Shqipëri?
Unë kam tashmë dy vite që jam rikthyer dhe vendosur në Shqipëri. Rikthimi ishte shumë i thjeshtë, pasi unë i kreva studimet e mia në Paris, arrita ta prek skenën atje, krijova miqësi që do zgjasin gjithë jetën, ndërsa prindërit dhe të afërmit i kam të gjithë këtu. Gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë në dy shfaqje teatri “Shtrigat e Salemit” dhe “Dashuri e hidhur”. Mund të them se e konsideroj një fat të madh mundësinë që më është dhënë për të performuar në skenën e Teatrit Kombëtar. Dua të theksoj që unë kam pasur shansin të luaj edhe në skena franceze, por asnjëherë nuk mund të krahasohet me emocionet që të jep gjuha jote. I fejuari im, princi Leka, gjithashtu u bë shkak që vendimi për t’u kthyer të ishte sa më i natyrshëm.
“Harroje Dashurinë” është një komedi reale, ku si të gjithë personazhet: Genci Fuga, Helidon Fino, Lulzim Zeqja e Xhevahir Zeneli vendoseni në rolet protagoniste të një intrige me tradhti. Si e ndien veten në këtë rol?
Jam shumë entuziaste për punën e bërë në këtë shfaqje. Kjo pasi ekipi është i mrekullueshëm dhe harmonia në grup është çelës për mbarëvajtjen e një projekti. Regjisori dhe autori i veprës, Erion Kame, ka ditur të zgjedhë një kast aktorësh të përshtatshëm me rolet që ai ka krijuar. Roli më ka pëlqyer që në leximin e parë, madje më ka entuziazmuar pasi unë e dua pafundësisht komedinë, më frymëzon, më emocionon.
Çfarë komentesh ke marrë nga nëna jote, Yllka Mujo si profesioniste, po nga princi Leka, si mashkulli yt në krah?
Nëna ime është e kënaqur nga puna që kemi bërë të gjithë, pa dyshim ajo si profesioniste ka këshillat e saj gjithmonë për të mirën e evolucionit të personazhit. Unë e shoh në dritë të syrit pasi kam besim të verbër në gjykimin e saj. Të fejuarit tim i ka pëlqyer shumë, edhe ai si i gjithë publiku na ka mbështetur me të qeshurat e tij.
Pas 11 vitesh “Spirit Voice”, grupi i parë femëror në muzikën shqiptare, u rikthye në spektaklin “100 vjet muzikë”. E kishit mbajtur miqësinë me vajzat dhe Keli, saksofonistin?
Për sa i përket ribashkimit të grupit “Spirit Voice”, kjo ka qenë një dëshirë e përbashkët e të katërve. Ne nuk e kemi përjetuar këtë kohë si ndarje përfundimtare, pasi shkëputja u bë në një moment suksesi të plotë, ndaj dhe ky ribashkim erdhi në mënyrë krejt të natyrshme dhe aspak të sforcuar. Mund të them se nuk jemi ndarë kurrë, kjo pasi miqësia ka vazhduar ndër vite, me të tre pjesëmarrësit e tjerë. Pa dyshim për Dorinën malli ishte shumë i madh pasi kishim 11 vjet pa u parë, madje tani që ka ikur përsëri nuk më besohet që e takova, më duket si ëndërr e bukur. Ndërkohë besoj do jemi më pranë, pasi kemi plane për në vazhdimësi, por do t’ia lëmë kohës.
Qëndrojmë pak te fejesa me princin Leka. U fol për një martesë pak kohë më parë. Jemi kureshtarë të dimë se kur do të organizohet një ceremoni e tillë…
Nuk kemi ende një datë të përcaktuar. Jemi fokusuar në rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog, gjë e cila është shumë e rëndësishme për ne të dy. Në këtë 100-vjetor Pavarësie është parësore të respektojmë të parët tanë, e ardhmja aty është, nuk ikën.
Dhe pas martesës vijnë fëmijët, keni planifikuar të bëheni prindër së shpejti?
Patjetër që fëmijët janë dhurata më e bukur që Zoti na jep, dhe jam e bindur që nuk ka njeri në botë të jetë indiferent përpara tyre. Unë besoj në Zot dhe, kur Ai ta ketë shkruar, gjërat do ndodhin.
Nuk e fsheh që jeni çift vërtet i dashuruar, po xhelozi ekziston mes jush?
Xhelozia për mua është e dëmshme në një marrëdhënie. Në çift duhet pasur besim, duhet që partnerin ta kesh shok. Unë kështu e konceptoj, ndaj nuk mendoj se në çiftin tonë ka xhelozi në kuptimin e rëndë të fjalës. Nëse ka është aq sa duhet, për ta bërë sa më të bukur lidhjen.
Intervista Plus
“Jemi princër jo nga titujt, por nga dashuria”
Të thuash “Princi dhe Princesha” në ditët e sotme është të imagjinosh një jetë si në përralla. Ju bëni jetën më të bukur që mund të bëhet?
Mendoj se vetëm në përralla jeta është ideale, marrëdhënia me botën që na rrethon gjithashtu. Jeta jonë është mjaft komplekse, me momente lumturie, siç edhe me shqetësime. Por ajo çka është më e rëndësishmja në një marrëdhënie, është dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin. Kjo e bën jetën përrallë, jo titujt apo statusi.
Cilat janë kufizimet në jetën tënde si pasojë e të jetuarit në Oborrin Mbretëror?
Nuk besoj se kam ndier kufizime, pasi vetë jeta që unë kam bërë, është e përmbajtur. Nuk mendoj se ka kufizime specifike, janë po ato rregulla që çdo familje e rregullt ka.
Merrni ftesa të ndryshme nga familje mbretërore në botë, dhe cila ka qenë pritja më e fundit?
Familja mbretërore shqiptare ka pasur dhe do ketë miq të mirë kudo në botë, pasi lidhjet janë krijuar mbi baza të shëndetshme. Rasti i fundit ku morëm pjesë, ishte në një mbrëmje gala në Suedi, të ftuar nga familja mbretërore suedeze. Princi i Suedisë është afërsisht moshatar me princ Lekën, ndaj patën plot biseda të këndshme për të ndarë së bashku.
Ti i përket botës së artit, po sa pranë politikës je, me të cilën është më shumë i angazhuar princi Leka?
Të them të drejtën, unë jam e përfshirë në jetën artistike, ndaj politika nuk më zgjon ndonjë interes të veçantë. Unë di të them që e dua vendin tim shumë, më ka munguar shumë gjithë ato vite, i ndiej në shpirt të gjithë hapat pozitivë, siç edhe me dhembin në shpirt të gjitha padrejtësitë. Jam idealiste, i dua njerëzit e ndershëm që punojnë me përgjegjësi për të mirën e ne të gjithëve. Artistët për shembull janë kyçi i evolucionit të një vendi. Nëse dëshiron të shohësh progres, duhet t’i kthesh sytë nga arti, pasi ai është i vetmi që pasqyron kohën.

Komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Çfarë tenton të arrijë Thaçi me përuljen që bëri para lapidarit të serbëve në Grackë të Lipjanit?

    Kërkon të “blejë" paqe me Serbinë

    Të heqë akuzat që janë përfolur ndaj tij

    Të mohoj gjenocidin serbë në Kosovë

    Të duket i mirë para ndërkombëtarëve

    Shiko rezultatet
test