Shënohet 100 vjetori i lindjes së atdhetarit Xhelal Mitrovica

Mitrovica

Shënohet 100 vjetori i lindjes së atdhetarit Xhelal Mitrovica

Më: 14 shtator 2016 Në ora: 15:58
Shënohet 100 vjetori i lindjes së atdhetarit Xhelal Mitrovica

Xhelal Mitrovica ishte një intelektual i formuar, studiues i zellshëm e luftëtar konsekuent për çështjen kombëtare, politikan i kompletuar e një njohës i shkëlqyeshëm i historisë së popullit shqiptar, analist i hollë  i problemeve ndërkombëtare si dhe një ndër emrat më të mëdhenj të gazetarisë shqiptare. Është fatkeqësi që veprimtaria e tij e gjerë në gazetarinë shqiptare ka mbetur e panjohur për lexuesin shqiptar.

Kështu u tha gjatë shënimit të 100 vjetorit të lindjes së tij, që u mbajt sot në Mitrovicë, ku morën pjesë familjarë të patriotit, pushtetarë, intelektualë dhe mysafirë të shumtë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, u shpreh krenar që qyteti i Mitrovicës ka pasur një personalitet të shquar dhe intelektual siç ishte Xhelal Mitrovica.

Kamberi: Xhelal Mitrovica u angazhua për hapjen e shkollave shqipe

“Xhelal Mitrovica së bashku me disa intelektualë tjerë si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agaj, Tafil Boletini e të tjerë, u angazhuan me tërë qenien për organizimin e pushtetit lokal e administratën në gjuhën shqipe si dhe për hapjen e shkollave shqipe në Perfekturën e Mitrovicës. Ishte shumë dinamik, prandaj përcillte dhe ndihmonte çdo aktivitet me karakter politik, kulturor, arsimor etj”, ka thënë mes tjerash Kamberi.

Duke bërë një përshkrim të figurës së atdhetarit, drejtori i RTV Mitrovica Nexhmedin Spahiu, tha se jo vetëm Xhelali, por edhe i ati Dervishi dhe të tjerët, ishin atdhetarë të devotshëm dhe të përkushtuar për të ndihmuar me të gjitha forcat avancimin e çështjes mbarëkombëtare.

Spahiu: Figurat e shquara të historisë moderne lidhen me Mitrovicë

“Mitrovica ka pasur fatin dhe nderin që figurat më të shquara në historinë moderne të Kosovës dhe Shqipërisë të lidhen me këtë qytet, o me jetën, o me veprën e tyre…Doktor Xhelal Mitrovica dhe babai i tij Dervish Mitrovica, si dhe daja Xhafer Deva, janë shtyllat kryesore të këtij identiteti të Kosovës. Këta, secili në fushën e vet, i dhanë Kosovës shndërritjen më të madhe në histori dhe Shqipërisë i dhanë shkëlqimin e Kosovës”, theksoi Spahiu.

Ndërkaq, në emër të familjes Mitrovica, ka folur vajza e madhe Lolita Mitrovica-Kupi.

Sipas saj, pjesa më e madhe e nacionalistëve sot janë lënë në harresë ose ju është hedhur baltë prej të cilës ende nuk kanë dalë.

Ajo ka bërë të ditur se e ka njohur Xhelalin si një bashkëshort dhe baba të dashur, të përkushtuar dhe të interesuar për zhvillimet shoqërore, intelektuale e njerëzore të shtatë fëmijëve.

 Kupi: Janë bërë përpjekje të vazhdueshme për lirinë e popullit

“Kohët e fundit kemi filluar të zbulojmë përmasat e angazhimit të gjyshit e të babës dhe përpjekjet e vazhdueshme të tyre për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë, lirinë e popullit kosovar, përpjekjet për arsimin në gjuhën amtare dhe mundësinë e zhvillimit të rinisë kosovare, pavarësisht çmimit personal, shpirtëror dhe ekonomik”, ka thënë Kupi.

Në shenjë respekti dhe falënderimi për veprimtarinë shumëdimensionale të Xhelal Mitrovicës, nënkryetari  Kamberi në emër të Komunës i ka dorëzuar familjarëve të patriotit një mirënjohje post mortum.

Gjatë këtij manifestimi që u organizua nga RTV Mitrovica, Komuna e Mitrovicës dhe Shoqata e shkrimtarëve ‘Ali Hadri’ në Mitrovicë, u shfaqë një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Dr Xhelal Mitrovica, si dhe u ekzekutuan disa pika muzikore nga anëtarët e grupit AD Libitum. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat