‘Agim Bahtiri një mashtrues që nuk do të vie në 50 vitet e ardhshme’

Mitrovica

‘Agim Bahtiri një mashtrues që nuk do të vie në 50 vitet e ardhshme’

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 14:51
Konferenca

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Dega në Mitrovicë, ka mbajtur sot konferencë me gazetarë me temën ''Keqqeverisja në komunën e Mitrovicës nga Agim Bahtiri dhe LDK gjatë periudhës 2014-2016'', me ç’rast përmes pamjeve u elaboruan premtimet e parealizuara të kryetarit Bahtiri, shkeljet, keqpërdorimet dhe abuzimet gjatë kësaj periudhe.

Kryetari i PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati,  ka potencuar shkeljet dhe abuzimet në fushën e zhvillimit ekonomik, por edhe në fushat e tjera në përgjithësi.

Sipas tij, zona e lirë ekonomike në Mitrovicë është konsideruar si mundësia më e mirë e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, për të cilën kryetari i Mitrovicës Bahtiri nuk ka bërë pothuajse asgjë.

Ai ka akuzuar Bahtirin për dështim total në fushën e investimeve dhe të punësimit, për të cilat gjatë fushatës pati dhënë premtime megalomane.

Kastrati: A ka ardhë ndonjë investitor nga Azia

“Këtu kemi 16 subjekte të cilave iu është dhënë parcela në zonën e lirë ekonomike…Cila është shkelja e parë, po shihni se këtu janë 10 hektarë, kurse kur mbledhen sasitë , janë gjithsej 10.04 hektarë, që do të thotë janë dhënë më tepër hapësirë sesa që në të vërtetë ekziston. Por gabimi më i madh është se këtyre subjekteve ekonomike nuk i është dhënë mundësia për rrugë, qasje .…Kjo është foto e zonës së lirë ekonomike që është fotografuar dje, dhe ku shihet se veç një subjekt ekonomik ia ka filluar punës…kurse prej 16 subjekteve tjera po shihet se asgjë nuk ka të ndërtuar…Agim Bahtiri ka thënë se për tre muaj do t’ia fillojë fabrika me punu, e patë fotografinë, askund nuk ka fabrikë, askund partner të huaj…Kanë kaluar tre vjet, po i lexojmë premtimet një nga një, sjelljen e investitorëve ndërkombëtarë në Mitrovicë, unë besoj se qytetarët e dinë nëse ka ard hur ndonjë ndërkombëtar për të invetuar në Mitrovicë, asnjë. Ka premtuar 15 mijë vende të reja pune gjatë mandatit, përveç në fabrikën e kërpudhave ku janë punësuar 54 veta dhe që marrin pagë prej 250 euro, asnjë fabrikë tjetër nuk është ndërtuar… thotë pastaj se çdo familje do të ketë së paku nga një anëtar të punësuar, vetë qytetarët e Mitrovicës e dinë se çka po ndodhë rreth punësimit… Ka premtuar 104 milionë investime me partnerë nga Azia dhe Evropa në fazën e parë, ndërsa shuma totale e investitorëve do të jetë 220 milionë euro. A ka ardhë ndonjë investitor nga Azia, fabrika është pronë e Behgjet Pacollit, ndërsa Agim Bahtiri e ka lëshuar tokën vetëm me qera”, ka thënë ai.

Ai i ka bërë ftesë  Agim Bahtirit që t’i dorëzojë 3 milionë euro për të pasur mundësi ndërtimi në pjesën veriore.

Kastrati: Kemi punë me një mashtrues

“Ne në Mitrovicë nuk kemi pasur rast deri në ditën e sotit që ndonjë kryetar komune prej pas lufte të jetë i përndjekur nga gjyqësori për abuzimet me paranë publike. Kësaj radhe ndaj Agim Bahtirit është bërë, por jo vetëm ndaj tij, edhe ndaj këshilltarit të tij të parë, i cili ka mashtruar një sirian me më shumë se 300 mijë euro, të gjitha bisedat janë kryer në zyrën e Agim Bahtirit…ku është puna e korrupsionit, e vërtetë është se të tjerët nuk i ka lënë me vjedhë për me mund me vjedhë vet…Është fatkeqësia më e madhe për Mitrovicën se me ardhjen e Agim Bahtirit asnjë shtëpi në pjesën veriore nuk është ndërtuar…Tani do të shihni sllajdin ku Agim Bahtiri premton se do t’i jap 3 milion euro nëse nuk i përmbush premtimet që i pamë… Ne publikisht po bëjmë ftesë për Agim Bahtirin që t’i dorëzojë ato 3 milionë euro për me mujt më e u bë ndërtimi në pjesën veriore…Fatkeqësisht kemi punë me një mashtrues që me siguri në trojet shqiptare nuk do të vie as për 50 vitet e ardhshme”, ka thënë Kastrati.

Ai ka ftuar kryetarin Bahtiri me bashkëpunëtorët e tij për debat të hapur publik, sepse siç u shpreh ai, aq shumë ka shkelje, sa që një debat i tillë do të ishte në interes të qytetarëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat