Krerët e komunës së Mitrovicës nderuan heronjtë dhe dëshmorët e kombit

Mitrovica

Krerët e komunës së Mitrovicës nderuan heronjtë dhe dëshmorët e kombit

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 16:37
Krerët e komunës së Mitrovicës duke nderuar heronjtë dhe dëshmorët e kombit

Edhe ky 28 Nëntor, në Mitrovicë është festuar me shumë dashuri e gëzime, duke filluar së pari me nderimin e heronjve dhe dëshmorëve të kombit të komunës, që në etapa të ndryshme të historisë tonë, dhen kontribute të jashtëzakonshme për të mirën e kombit dhe të Shqipërisë e Kosovës.

Kështu, në kompleksin e kullave të Heroit Isa Boletini, zyrtarët e parë institucionalë që arritën për vizitë aty, ishin drejtuesit e komunës, me në krye Agim Bahtirin, kryetar dhe Bislim Imeri, kryesues i Kuvendit të Komunës.

Bahtiri me delegacionin e tij, fillimisht vuri buqetë me lule të freskëta mbi varrin e Heroit Isa Boletini dhe më pastaj vizitoi kompleksin e kullave, ku boletinasve mikpritës dhe të gjithë qytetarëve të komunës, ua uroi edhe njëherë Ditën e Flamurit dhe festat tjera të Nëntorit.

Edhe kësaj radhe kryetari Bahtiri e vlerësoi lart këtë figurë të madhe të popullit shqiptar dhe kontributin e tij për lirinë e tij dhe pavarësinë e Shqipërisë.

“Është kjo ditë e veçantë për gjithë shqiptarinë. Ne mitrovicasit ndjehemi krenar që ky burrë i madh i kombit ishte nga ky vend, ku ka filluar ndryshim i historisë për shqiptarët dhe duhet të respektohet si i tillë. Ai nga këtu nisi rrugëtimin e tij për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Isa ishte një atdhetar i jashtëzakonshëm, një strateg popullor, udhëheqës e organizator i lëvizjes për lirinë e shqiptarëve dhe pavarësinë e Shqipërisë, si një shtet i të gjithë shqiptarëve. Ne jemi dhe përjetë do të mbesim krenarë me këtë personalitet të jashtëzakonshëm”, tha ndër të tjera Bahtiri.

Në vazhdim Bahtiri më bashkëpunëtorët e tij, vendosi buqetë më lule në varrezat e dëshmorëve në Shipol.

“Edhe si institucione, edhe si shqiptarë që jemi, kemi obligime që së paku në ditën e festave të mëdha, siç është 28 Nëntori, të bëjmë homazhe dhe në këtë mënyrë të respektojmë e nderojmë heronjtë dhe dëshmorët e kombit për atë që bënë që në sot te jetojmë të lirë në dy shtete të pavarura, me synim që një ditë të bashkohemi”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri tek varrezat e dëshmorëve në Shipol.

Me të përfunduar nderimet në varrezat e dëshmorëve në Shipol, Bahtiri me delegacionin e tij u nis drejt Prekazit, ku bëri homazhe tek varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorët tjerë të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme kur për çdo 28 Nëntor Prekazi mbushet me shqiptarë dhe flamuj e kuq e zi, që vijnë nga të gjitha trevat shqiptare për të bërë homazhe dhe nderuar kryeheroin Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij. Kjo tregon se shqiptarët dinë të vlerësojnë kontributin e jashtëzakonshëm të komandantit legjendar Adem Jashari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha ndër të tjera ai.

Kryetari Bahtiri pas kthimit nga Prekzai kurora me lule të freskëta vendosi edhe tek shtatoret e heronjve Isa Boletini, Mehë Uka e Shemsi Ahmeti në qytet, si dhe pranë shtatoreve të dëshmorëve Xhevë e Fehmi Lladrovci dhe Fatime Hetemi, Avni Shabani, Selman Vojvoda, Artim Jashari e Safet Boletini.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sërish është kthyer në Boletin, ku bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Mingjozi, kanë vazhduar kremtimin e 28 Nëntorit./BS/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat